Drenica që po befason të gjithë dhe nuk po njeh kundërshtar, do të tentojë ta ruajë serinë e mirë që ka në 8 ndeshjet pa humbje. Në anën tjetër, Llamkos Kosova në Skenderaj udhëton me synime për ta ruajtur kreun dhe përfundimisht për të dëshmuar se është skuadra më e fortë në renditje.
Të dyja skuadrat premtojnë angazhim maksimal, fitore e mbi të gjitha lojë korrekte. Mesfushori “kuqezi”, Dukagjin Gashi e ka parasysh se e kanë një kundërshtar të fortë, por thotë se me ndihmën e tifozëve të tyre “Shqiponjat” do ta mposhtin Llamkosin.
“Është një ndeshje shumë e fortë. Në Skenderaj na vjen lideri dhe kjo dëshmon se bëhet fjalë për një ekip të fortë. Por ne në fushë do të hyjmë me synime për ta vazhduar serinë tonë. Po besoj që ka me qenë një atmosferë e mirë dhe unë iu bëj thirrje tifozëve “Shqiponjat” të vijnë sa më shumë, pasi që me ndihem e tyre e kemi më lehtë ta mposhtim Llamkosin”, tha Gashi, i cili përkundër faktit se me fitore mund të afrohen në pikë me kreun e renditjes, nuk thotë se synojnë titullin.
“Synimi ynë është të tregojmë lojëra të mira dhe të arrijmë sa më lart në kreun e renditjes. Për ta ndjekur titullin duhet me pasë fond shumë më të madh të lojtarëve, e ne nuk e kemi. Gjithsesi, do të angazhohemi të mbajmë këtë seri dhe nëse na jepet rasti pse jo të luftojmë edhe për titull por kjo nuk është brenga jonë”, tha mesfushori pejan në radhët e Drenicës.
Në anën tjetër sulmuesi Labinot Osmani premton se skuadra e tij nuk do të mposhtët dhe për të edhe një barazim do të ishte sukses.
“Drenica është në një formë shumë të mirë, kështu që edhe një barazim nga ky udhëtim nuk do të ishte i keq. Ne në çdo ndeshje shkojmë për fitore, jemi lider kështu që edhe duhet të luftojmë vetëm për fitore”, tha Osmani i cili pavarësisht këtij rezultati, vlerëson se skuadra e tij do të dimërojë në krye të renditjes. /Zëri/Telegrafi/