Telegrafi

Gashi: Liria nuk është krim dhe ushtarët që duan lirinë nuk janë kriminel

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit, pas konfirmimit të aktakuzave nga dhomat e specializuara për presidentin Thaçi, ish-kryetarin Veseli dhe shefin e grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi.

Në Facebook Gashi, ka shkruar se ashtu si në kohë të vështira edhe kësaj radhe me ballë të hapur e faqebardhë, do të mbrohet dinjiteti dhe lufta e pastër të UÇK-së.

“Sot, tre pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Presidenti Thaçi, ish-Kryetari Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të VV-së Rexhep Selimi, u nisën, për të dalur përpara gjyqit e drejtësisë ndërkombëtare, me ballë të hapur e faqebardhë si në kohët e vështira ashtu dhe në paqe, duke mbrojtur dinjitetin dhe luftën e pastër të UÇK-së.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është vlera më sublime e popullit shqiptarë dhe si e tillë përherë do të dëshmojë se liria nuk është krim dhe se ushtarët që e duan lirinë nuk janë kriminel!

Çlirimtarë jemi me ju, faqebardhë e fitimtarë ju presim”, ka shkruar Gashi.