Telegrafi

Gashi: Kërkesa për dorëheqje time është banale

Ai ka thënë se ka shumë shkencëtarë të mëdhenj të huaj, që kanë rënë në lajthitje nga revistat virtuale. Gashi thotë se është kontestuar revista dhe jo punimet e tij.

“Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje sepse është banale kërkesa, dhe vjen prej një grupi të caktuar njerëzish të cilët e kanë pasë gjithmonë derën qelë nga ky menaxhment për të kontribuar në të mirën e universitetit”, ka thënë Gashi.

Ai thotë se kritikat po vijnë nga profesor brenda UP-së, të cilëve u është dhënë hapësirë e mjaftueshme për kontribut në UP.

“Janë dy profesorë që e kanë ngritur këtë problem, dhe unë mund t’i them edhe me emër që ata janë pjesë e forumeve. Qëndrim Gashi është pjesë e Këshillit Botues dhe është i emëruar nga unë si udhëheqës i aleancës franceze në Fakultetin Filologjik; Popovci është anëtar i Këshillit të Shkencës dhe Hajrullahu ka pasë mbështetjen time të vazhdueshme, të cilën e ka keqpërdorë skajshëm”, ka thënë Gashi në televizionin publik, transmeton Kosovapress.

Ndërkohë Gashi, ka kritikuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, për inicimin e diskutimit për UP-në në Parlamentin e Kosovës. Ai ka thënë se megjithëse e kupton se jemi në vit zgjedhor, partitë politike duhet të rrinë larg universitetit “Hasan Prishtina”. /Telegrafi/