Goli i Shkëlzen Gashit dhe dy penalltitë e pritura nga Tim Howard e kualifikuan Kolorado Rapids në finalen e Konferencës së Perëndimit të kampionatit amerikan të futbollit (MLS). Mesfushori shqiptar barazoi rezultatin e përgjithshëm me një të majtë nga mbi 35 metra, për të cilën ka marrë vlerësime në Shtetet e Bashkuara.
“Në momente të tilla nuk mendon gjatë. Kam gjuajtur plot herë gjatë sezonit, por kjo erdhi në çastin e duhur. Ndjehesha mirë sot (dje) dhe i thashë vetes: ‘Jepi, merre topin, gjuaj dhe beso te gjuajtja. Ishte një goditje e mirë dhe u lumturova për golin dhe për ekipin. Dua të falënderoj edhe tifozët, që sot (dje) ishin mbështetje e madhe”, u shpreh 28-vjeçari pas ndeshjes.
“Para takimit folëm të gjithë së bashku dhe thamë që goli i parë është shumë i rëndësishëm. Besuam te vetja dhe bëmë një paraqitje të shkëlqyer. Pas golit, të gjithë vazhduam të besonim gjithnjë e më shumë. Në fund penalltitë janë edhe pak fat, por në përgjithësi ishim të shkëlqyer”, vijoi ai.
Ndërkohë, trajneri i Rapids, Pablo Mastroeni, e komentoi në formë shakaje “perlën” e Gashit: “Sapo e pashë të gjuante, mendova se topi do shkonte jashtë. E kam parë ta bëjë të njëjtën gjuajtje vazhdimisht në stërvitje. Ka goditje të shpejtë dhe përpiqet gjithnjë të gjejë hapësira të ngushta për të provuar nga distanca. Në ndeshje të mëdha duhen lojtarë të mëdhenj për të bërë veprime të mëdha. Lojtarët e mëdhenj duhet të ngjiten në skenë dhe kjo u pa qartë sot (dje)”.
Para golit spektakolar të mesfushorit shqiptar u përulën edhe kundërshtarët, të cilët pas ndeshjes u shprehën të dorëzuar. Portieri që e pësoi, Brajan Rou, deklaroi: “E pashë që po llogariste hapësirën dhe distancën, ndaj u përpoqa të tërhiqem në portë. Por nuk arrita dot dhe gjuajtja ishte e mirë. Ishte gol i bukur”.
Kurse mesfushori i Los Anxhelesit, Landon Donovan, komentoi: “E dinim që nuk do ta kishim të lehtë, por sot (dje) u mundëm nga një gjuajtje që ndodh një herë në njëqind mijë. Ndaj nuk mbetet gjë tjetër vetëm se t’i heqim kapelën”.
I impresionuar u shpreh edhe qendërmbrojtësi i Galaksi, Zhell Van Dam “Ishte gjuajtje e shkëlqyer. Në Belgjikë ne e quajmë këtë ‘Gjuajtja e së dielës – që vjen nga hiçi’”.
Në fund, një koment edhe nga tekniku i miqve nga Kalifornia, Brus Arena, ish-trajner i përfaqësueses amerikane: “Gashi bëri një gjuajtje vërtet të mirë. Topi nuk shkoi drejt, por mori një të prerë. Mendoj se portieri ynë nuk ishte plotësisht gati për atë gjuajtje. Ç’mund të thuash më tepër? Kjo e bëri diferencën në lojë”.