Telegrafi

Gashi: Ende s’ka asnjë aktvendim nga Gjykata e Apelit për rastin “Drenica 1”

Ish komandanti i Zonës së Parë Operative të UÇK-së dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku është shpallur i pafajshëm për vrasje nga Gjykata e Apelit dhe më këtë vendim Lushtakut i hiqen 12 vjet burg, për çka ishte dënuar më parë, kanë konfirmuar për KosovaPress familjarë të Lushtakut.

KosovaPress ka tentuar të kontaktojë avokatin mbrojtës të Lushtakut, Arianit Koci, por telefoni i tij nuk ishte çasje.

Kurse avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, Tomë Gashi duke mos dashur ta komentojë lajmin, ka thënë se ende askush nuk ka marrë asnjë aktvendim të shkruar, e as aktgjykim nga Gjykata e Apelit për Rastin “Drenica 1”.

“As unë, e as askush tjetër, nuk ka marrë asnjë aktvendim të shkruar, e as aktgjykim nga Gjykata e Apelit për Rastin ‘Drenica 1’, kështu që nuk mund të konfirmoj asgjë më shumë”, ka thënë Gashi.

Lexo po ashtu Apeli ia heq 12 vjet burg Lushtakut, do t'i vuajë 7 të tjera

Në procesin gjyqësor të njohur si “Drenica 1”, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte dënuar kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku me 12 vjet burg, ndërsa ish komandantin e UÇK-së Sylejman Selimi me 6 vjet burg.

Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi janë duke e vuajtur dënimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës./Telegrafi/