Ish komandanti i Zonës së Parë Operative të UÇK-së dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku është shpallur i pafajshëm për vrasje nga Gjykata e Apelit dhe më këtë vendim Lushtakut i hiqen 12 vjet burg, për çka ishte dënuar më parë, kanë konfirmuar për KosovaPress familjarë të Lushtakut.
KosovaPress ka tentuar të kontaktojë avokatin mbrojtës të Lushtakut, Arianit Koci, por telefoni i tij nuk ishte çasje.
Kurse avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, Tomë Gashi duke mos dashur ta komentojë lajmin, ka thënë se ende askush nuk ka marrë asnjë aktvendim të shkruar, e as aktgjykim nga Gjykata e Apelit për Rastin “Drenica 1”.
“As unë, e as askush tjetër, nuk ka marrë asnjë aktvendim të shkruar, e as aktgjykim nga Gjykata e Apelit për Rastin ‘Drenica 1’, kështu që nuk mund të konfirmoj asgjë më shumë”, ka thënë Gashi.
Në procesin gjyqësor të njohur si “Drenica 1”, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte dënuar kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku me 12 vjet burg, ndërsa ish komandantin e UÇK-së Sylejman Selimi me 6 vjet burg.
Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi janë duke e vuajtur dënimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës./Telegrafi/