Site icon Telegrafi

Gashi: Dhoma e mbrojtur ose e shurdhër në Kuvend është gati

Shteti vazhdon të çalojë në zbatimin e pothuajse të gjithë mekanizmave ligjor për mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë. Pas pothuajse shtatë vitesh nga marrëveshja dhe plani fillestar për reforma, më në fund njoftohet se ka përfunduar realizimi i “dhomës së heshtur, të mbrojtur ose shurdhër” në Kuvend.

Këtë e konfirmon kabineti kreut të Kuvendit Afrim Gashi pas takimit që ai pati me përfaqësuesit në Shkup të Qendrës së Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë (DCAF). Dhoma e shurdhër duhet të jetë hapësira ku komisionet për mbikëqyrjen e shërbimeve sekrete do të mbajnë takimet e tyre, pa rrezik për depërtimin e valëve elektromagnetike, me qëllim të mbrojtjes së informacioneve sekrete.

DCAF ka ndihmuar negociatat për reformat në shërbimet e sigurisë që pas krizës politike të shkaktuar nga përgjimet masive të shërbimeve të sigurisë si dhe ka ndjekur zbatimin e tyre kurse Gashi i njoftoi sot për masat e marra dhe shkallën e realizimit të tyre.

“Bashkëbiseduesit ndanë kënaqësinë për përfundimin e projektit të “dhomës së mbrojtur”, e cila pritet të vihet në përdorim së shpejti, pas përfundimit të procedurave të mbetura të pranimit teknik dhe akreditimit që janë në zhvillim e sipër. Gjithashtu u theksua nevoja e konstituimit të Këshillit për Mbikëqyrje Civile, në mënyrë që të arrihet një mbikëqyrje efektive parlamentare dhe civile mbi sektorin e sigurisë-zbulimit”, njoftojnë nga Kuvendi.

Këshilli për mbikëqyrje civile të shërbimeve të sigurisë, i cili supozohej të ishte i përbërë nga ekspertë të drejtësisë dhe fushës së sigurisë është jofunksional. Ish anëtarët e tij dhanë dorëheqje për shkak se Kuvendi nuk krijonte kushte për funksionimin normal të tij, nuk kishin mjaftueshëm kompjuterë për punë, nuk kishin softuerët e nevojshëm dhe as ekspertët e nevojshëm teknologjik për të deshifruar punën e shërbimeve të sigurisë.

Përveç Këshillit për mbikëqyrje civile, edhe tre komisionet parlamentare që kanë kompetenca të mbikëqyrin shërbimet e sigurisë çalonin në punën e tyre. Komisioni për ndjekjen punës me përgjimet të Agjencisë Teknike Operative, me vite i kërkoi dhe nuk i fitoi dy ekspertët e teknologjisë të cilët i kishte të nevojshme për aspektin teknik të mbikëqyrjes. Si pasojë, askush nuk mund të thotë me siguri që në shtet nuk ka përgjime ilegale dhe që shërbimet e sigurisë punojnë në përputhje me ligjin./Alsat/

Exit mobile version