Site icon Telegrafi

Gashi: Derisa Lajçak e Borrell janë në anën e Serbisë, vështirë të arrihet një marrëveshje

Avokati Tomë Gashi në lidhje me takimin e radhës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten, më 14 shtator, ka thënë se nuk do të ketë rezultat.

Dhe sipas tij, marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e vështirë të arrihet derisa i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell “të jenë 100 për qind në anën e Serbisë”.

“Nuk do të ketë rezultat, kështu thënë në gjuhën më të thjesht. Do të jetë takimi i radhës diku pas tre muajve. Është kërkesë e lehtësuesve të dialogut, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mirë që tani nuk po thirret dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, por paska është ndryshuar qasja”, ka deklaruar Gashi në RTV Dukagjini.

“Dhe derisa Lajçak dhe Borrell janë 100 për qind në anën e Serbisë  është tepër e vështirë të arrihet një marrëveshje. Ne prizmin tim unë shpeshherë e shoh Borrellin si një zëdhënës të Qeverisë së Serbisë apo të presidentit të tyre, Vuçiq”, ka deklaruar tutje ai.

Së fundmi edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se nuk duhet pritur që në takimin e 14 shatorit të diskutohet për njohje.

Sipas tij nesër do të flitet vetëm për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Ohër.

Ditë më parë ndërmjetësuesi Lajçak ka thënë se janë duke u bërë përgatitje që takimi mes palëve të sjellë rezultat.

Exit mobile version