Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi ka thënë se është alarmante dhe shqetësuese rritja e shpejtë dhe e vazhdueshme e rasteve të reja me COVID-19 në gjithë Kosovën, e sidomos në Prishtinë, ku janë edhe 1,209 raste aktive.
Gashi përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se që nga data 20 mars deri sot në Prishtinë janë konfirmuar 1963 raste me COVID-19, prej të cilave 1209 raste janë ende aktive.
Gjithashtu janë 732 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 22 raste që kanë përfunduar me fatalitet.
“Mbajtja e maskës është një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë. Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm. Sepse vetëm bashkë mund të e tejkalojmë këtë sfidë! Vazhdoni t’i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë”, ka shkruar Gashi. /Telegrafi/