Imami i xhamisë Mati 1 në Prishtinë, Fadil Musliu, ka njoftuar se së bashku me imamin e xhamisë së Veternikut do të dorëzojnë një padi ndaj ish-zëvendësministrit për Komunitete, Milazim Gashi, në lidhje pretendimet e tij se disa xhami janë financuar nga Serbia.
Gashi kishte deklaruar se disa xhami, përfshirë atë në Mati 1 dhe në Veternik, janë të financuara nga Serbia, çka ka nxitur reagime të ashpra dhe vendosmëri për ndjekje ligjore nga imami Musliu.
Musliu i quajti shpifje deklarimet e Gashit, duke theksuar se nuk kanë qëndruar duarkryq përballë këtyre akuzave.
“Kemi përgatitë padinë dhe për shkak të disa pengesave teknike, derisa t’ia gjejmë adresën e numrin e telefonit, nuk e kemi deponuar. Besoj që nesër xhamia Mati 1 dhe Veterniku do ta deponojnë padinë në gjykatë. Nëse ka ndonjë trohë drejtësi, atij shpifësi do t’i tregohet vendi… Xhamitë tona janë financuar dhe sponsorizuar qartë prej popullit tonë dhe punën finale e ka përfunduar shoqata bamirëse e Katarit”, ka thënë Musliu, në “Debat Plus” të RTV Dukagjini.
Ndryshe, Gashi vazhdon të deklarojë se Serbia qëndron pas financimit të disa xhamive në Kosovë.
Sipas tij, shërbimi informativ serb ka draftuar një plan program për financimin e xhamive dhe Kosova të paraqitet si një vend islamik para ndërkombëtarëve.