Telegrafi

Garrett – Ilievskit: Rezultatet zgjedhore nuk janë manipuluar, madje janë pranuar nga të gjitha partitë

Javorja Fokus bën të ditur se Ambasadori britanik në Shkup, Charles Garrett, ka replikuar me njërin nga udhëheqësit e protestave të ”Për Maqedoni të Përbashkët”, Bogdan Ilievski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ilievski ka shtruar pyetjen nëse ambasadori Garrett ka thënë se veprimet në Kuvendin e Maqedonisë janë kundërproduktive për demokracinë në Maqedoni.

Garrett është përgjigjur me një pohim dhe një pyetje.

”Po. Si mundet që veprimet e tanishme në Kuvend të ndihmojnë që të vihet deri te zgjidhja demokratike bazuar në rezultatet e dhjetorit?”, është përgjigjur Garrett.

Debati ka vazhduar dhe Ilievski është shprehur se zgjedhjet janë manipuluar dhe se zgjidhja më e mirë është zgjedhje të reja.

Mirëpo, Garrett ka reaguar sërish duke deklaruar se rezultati zgjedhor është pranuar nga të gjithë.

”Rezultatet nuk janë manipuluar. Të gjitha partitë i pranuan si të besueshme dhe si themel për formimin e qeverisë”, ka cicëruar Garrett./Telegrafi/