Site icon Telegrafi

‘Garë’ edhe në mes të miliarderëve: Ish-pronari i Dallas Mavericks në krah të Harrisit, Musk mbështet Trumpin

Kamala Harris dhe Donald Trump prej muajsh zhvillojnë një fushatë elektorale që do të kulmojë me zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit dhe për të fituar “angazhuan” dy miliarderë – Mark Cuban dhe Elon Musk.

Cuban dhe Musk njihen si biznesmenë shumë të suksesshëm që kanë fituar para në sektorin e teknologjisë dhe ndajnë aktivitetin në rrjetet sociale.

Megjithatë, ata qëndrojnë në anët krejtësisht të ndryshme të krahëve politik në SHBA. Shumë është folur tashmë për Muskun dhe marrëdhëniet me Trumpin, e cila tani është rritur në paraqitje të drejtpërdrejta në mitingjet e republikanit, por tani edhe Cuban i është bashkuar në mënyrë aktive fushatës së kandidates demokrate për presidente.

Ndërsa Musk foli në mitingun e Trumpit në Pensilvani, Cuban iu bashkua fushatës së Harrisit në Wisconsin.

Kështu, ish-pronari i ekipit të NBA-së, Dallas Mavericks tha se idetë e Trumpit në lidhje me tarifat dhe ekonominë janë “të çmendura” dhe se është “e pabesueshme” që 78-vjeçari mendon se Kina do të paguajë çmime të tilla.

“Ky është i njëjti njeri që tha se do të ndërtonte një mur në kufirin me Meksikën dhe ata do të paguanin për të”, pohoi Cuban.

Nga ana tjetër, Musk mbajti mitingun e parë i vetëm në favor të kandidatit republikan, në shtetin kyç federal të Pensilvanisë.

Pronari i Teslas dhe Space X e krahasoi situatën në kufirin SHBA-Meksikë me një “apokalips zombie” dhe tha se qytetet amerikane nuk janë më të sigurta.

“Nëse do të kemi edhe katër vite të tjera si kjo, ne do të jemi krejtësisht “Mad Max”. Pensilvania është çelësi në këto zgjedhje dhe këto zgjedhje do të vendosin fatin e Shteteve të Bashkuara dhe së bashku me fatin e Amerikës, fatin e qytetërimit perëndimor”, tha Musk.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane pritet të mbahen më 5 nëntor (e martë). /Telegrafi/

Exit mobile version