Telegrafi

Gardistët: Nuk kemi pasur urdhër të qëllojmë

E përditshmja Shqip raportoi të enjten se në fakt Njësia nën drejtimin e Ahmetcenajt nuk ishte parashikuar të qëllonte as në ajër, pasi plani i Shërbimit për 21 janarin parashikonte një brez tjetër gardistësh që do të qëllonin me plumba manovër.

“Në asnjë rast nuk kam dhënë urdhër që të qëllonin drejt turmës, sepse nuk ishim ne që do të qëllonim në ajër, por gardistë të tjetër që kishin plumba manovër”, thuhet të ketë deklaruar Ahmetcenaj. Ai ka mohuar në mënyrë kategorike dhënien e urdhrit për të qëlluar, duke pranuar se ngjarja e ka dëmtuar mjaft.

Nga ana tjetër, Grupi hetimor i ka paraqitur gardistit prova që vërtetonin se Njësia speciale që ai drejtonte ka qëlluar në drejtim të turmës me armë zjarri. Ahmetcenaj është epror i gardistit Agim Llupo që u arrestua nga Prokuroria dy ditë më parë, i cili ka qëlluar mbi turmën nga njëri prej tuneleve të Kryeministrisë më 21 janar, duke shkaktuar vdekjen e Ziver Veizit.

Sipas gazetës Shqip, Grupi hetimor dyshon se urdhrin për të qëlluar Llupos ia ka dhënë pikërisht eprori i tij, Ahmetcenaj.

Arrestimi i të dyve erdhi pas rezultatit të analizës balistike në predhën e gjetur në trupin e Ziver Veizit, që konfirmonte se është qëlluar nga automatiku model MP5 në përdorim të Agim Llupos atë ditë. Alfred Ahmetcenaj ishte pjesë e grupit prej gjashtë gardistësh të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës për të cilët Prokuroria nxori urdhër-ndalime pas ngjarjeve të 21 janarit, por që policia refuzoi t’i ekzekutonte.

Negociatat për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve kanë zgjatur dy javë, ndërkohë që e përditshmja Mapo raportoi të enjten se pjesë e aktive e tyre ka qenë prokurori amerikan i ardhur në Shqipëri për asistencë në hetimet e ngjarjeve të 21 janarit. Gjashtë gardistët përfshirë janë dorëzuar vetë në prokurori, ndërsa kjo e fundit pas pyetjeve që kanë zgjatur për disa orë kanë vendosur të arrestojnë Ahmetcenajn dhe të lirojnë 5 të tjerët.

E përditshmja Mapo raporton se asnjëri nga komandantët e Gardës së Republikës, përfshirë komandantin e përgjithshëm Ndrea Prendin, nuk kanë pranuar të kenë dhënë apo të kenë marrë urdhër për të qëlluar mbi turmën. /Telegrafi/