Gjashtë të burgosur në burgun “Polk County” në Georgia të Shteteve të Bashkuara, i kanë shpëtuar jetën një gardiani i cili ishte rrëzuar në tokë pa ndjenja gjatë orarit të punës, duke mos e shfrytëzuar këtë rast që të arratisen.
Sipas medieve amerikane, të burgosurit ishin duke prerë barin në varreza në afërsi të burgut, kur gardiani humbi vetëdijen. Dhe në vend që të ikin, të burgosurit i kanë ofruar ndihmë duke ia shpëtuar jetën, transmeton Telegrafi.
Të burgosurit menjëherë i kishin telefonuar policisë (911), dhe i kishin hequr jelekun antiplumb në mënyrë që të ketë frymëmarrje më të lehtë. Gardiani kishte humbur vetëdijen, për shkak të probleme të mëhershme shëndetësore që i kishte pasur dhe nga temperaturat e larta që i pamundësonin të merrte frymë lirshëm.
“Kanë mundur të bëjnë çfarë të donin. Kanë qenë vetëm jashtë me vetëm një gardian. Po ta kishin lënë vetëm në atë gjendje, do të kalonin orë të tëra pa e vërejtur pa vetëdije në tokë, dhe kështu ndoshta do të vdiste”, drejtori shefi i gardianëve të burgut “Polk County”, Johnny Moatts.
Në ato momente nuk kishte rëndësi kush kishte të veshur rrobat e të burgosurit, e kush e kishte distinktivin e gardianit, ishte thjesht një çështje jetë a vdekje.
“Ata gjatë gjithës kohës kanë qëndruar me të. Po të mos i kishin ofruar ndihmë, kush e di se çfarë do t’i kishte ndodhur. Të burgosurit kanë kryer një punë të mirë dhe jam krenar me ata”, ka shtuar Moatts.
Që të gjashtë të burgosurit janë shpërblyer për veprimin e tyre me nga një picë dhe ëmbëlsirë në park, për faktin se i kanë ofruar ndihmë gardianit.
Pas tretmanit edhe gardiani i është rikthyer punës. /Telegrafi/