Telegrafi

Garda Republikane në gatishmëri ‘numër 1’

Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi ka urdhëruar të gjithë efektivat e kësaj njësie, veçanërisht ata që shërbejnë tek godina e kryeministrisë, të mos lëvizin për asnjë çast nga pozicionet e tyre të përcaktuara qysh të premten e kaluar, raportoi Balkanweb.

Gatishmëria maksimale është urdhëruar për të shmangur çdo të papritur, të paktën deri në datën 28 janar, kur opozita ka paralajmëruar zhvillimin e një demonstrate tjetër. Është dhe ky shkaku pse të gjithë trupat e Gardës, të plagosur apo dëmtuar me mjete të forta nga demonstruesit janë duke u mjekuar prej disa ditësh në qiell të hapur brenda rrethimit të godinës qeveritare.

Atyre iu është ndaluar të largohen nga objekti i rëndësisë së veçantë pavarësisht motiveve. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë, Sali Berisha tha se numri i efektivave të Gardës të plagosur gjatë demonstratës së 21 janarit ishte 81 vetë.

Berisha tha në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve ANSA se urdhër-ndalimet e lëshuara nga Prokuroria për 6 drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, “nuk do të zbatohen në mënyrë absolute, në bazë të Kodit të Procedurës Penale”.

Gjykata e Tiranës dha një ditë më parë masën e arrestit për nga të cilët 28 demonstrues janë lënë në qeli. Drejtues të PS-së dhe familjarët kanë protestuar, duke thënë se të arrestuarit janë keqtrajtuar nga policia.

Avokati i Popullit ka bërë inspektime në komisariate dhe në spitale në lidhje me të arrestuarit dhe të lënduarit në demonstratën e 21 janarit dhe pritet të dalë të martën me një raport. /Telegrafi/