Telegrafi

Garda: “Nuk ka ekzistuar asnjë server”

Garda e Republikës deklaroi se ky institucion dhe gjithë veprimtaria e tij janë dokumentuar në shkresa që kanë qenë dhe do vijojnë të jetë të disponueshme për organet e drejtësisë, raportoi të hënën e përditshmja Standard.

“Nisur nga publikimet e dy mediave të shkruara mbi të ashtuquajturin ‘zhdukje të serverëve të radiolidhjes së Gardës së Republikës’ apo ‘fshehje të urdhrave’
sqarojmë se këto pretendime janë spekulime dhe gënjeshtra të pastra të servuara
me qëllim për të keqinformuar publikun. Së pari në Gardën e Republikës nuk ka ekzistuar kurrë asnjë server radiondërlidhjeje e aq më pak të jetë zhdukur një i tillë, apo t’u fshihet organeve të hetimit. Së dyti, të gjitha komunikimet në rrjetin e radiondërlidhjes janë të evidentuara me shkrim nga Qendra e Drejtimit të Gardës. Ato kanë qenë dhe janë në dispozicion të hetimit dhe të organeve përkatëse sa herë të kërkohen”, thuhet në reagimin e Gardës së Republikës.

Garda siguroi qytetarët se ka bashkëpunuar dhe po bashkëpunon pa asnjë rezervë dhe me gatishmëri maksimale me institucionet përkatëse për një hetim të plotë e të gjithanshëm të ngjarjeve të 21 janarit. /Telegrafi/