Garda e Republikës së Shqipërisë do të marrë në mbrojtje anëtarët e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, personelin vendas dhe ndërkombëtar, si dhe objektet ku ata ushtrojnë veprimtarinë.
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për ruajtjen dhe mbrojtjen e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të personelit vendas dhe ndërkombëtar, të objekteve ku ushtrojnë veprimtarinë si dhe Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, nga Garda e Republikës së Shqipërisë.
Sipas këtij vendimi, Garda e Republikës së Shqipërisë do të ruajë dhe të mbrojë, me truprojë/shofer (nënoficer) kryetarin dhe komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerët Publikë; vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, si dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Po ashtu, Garda e Republikës do të ruajë dhe mbrojë objektet (mjediset e punës), ku ushtrojnë veprimtarinë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.