Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, nën drejtimin e Fadil Vokrrit, ka mbajtur mbledhjen, ku është debatuar për përgatitjet që janë bërë rreth fillimit të stinorit pranveror dhe ka vendosur të fusë në lista të gjithë ata që kanë së paku 50 për qind të pyetjeve të sakta në testimet që janë bërë fundjavën e shkuar në Mitrovicë. Siç dihet në fundjavë zhvillohen ndeshjet e 1/8-së finales të Kupës së Kosovës, kurse një javë më pas fillon edhe stinori pranveror. Ndonëse ka pasur zëra se stinori mund të shtyhet, u vendos që përkundër vështirësive të shumta kampionati, megjithatë, të nisë në kohën e paraparë.
Pjesa me e madhe e debatit ishte rreth raportit të Komisionit të Gjyqtarëve lidhur me testet fizike e teorike, që u çua shumë pluhur. Kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve Ruzhdi Breznica, tha ndër të tjera se gjyqtarët në testin teorik patën shumë vështirësi, sepse për herët iu nënshtruan një metode të re të testimit me video-test dhe që nuk arritën të bëhen sqarimet e nevojshme, ndaj edhe kalueshmëria ishte nën nivelin e duhur. Për këtë arsye Komiteti Ekzekutiv mori vendim që të bëhet ritestimi më 6 mars dhe që gjyqtarët të marrin sqarimet e duhura se si veprohet me video-teste. Ky vendim është pritur mirë nga “përsëritësit”, të cilët shpresojnë se kësaj radhe do të dalin shumë më të suksesshëm.
“Natyrisht se jam optimist për testin e ri pasi e kem të qartë se çka mund të ketë. Ne nuk kemi pasur ndonjë test më parë dhe kjo ka ndikuar që të mos arrijmë rezultate të kënaqshme. Nuk mund të them se testi është shumë i vështirë, por lypset përqendrim më i madh pasi koha është tejet e shkurtër. Më vjen mirë që drejtuesit e FFK-së kanë marrë vendim për ritestim dhe shpresoj në rezultate të mira jo vetëm për mua por edhe për gjyqtarët tjerë”, tha Përparim Hasani, arbitri numër një në futbollin kosovar.
KE ka miratuar një listë kalimtare të arbitrave vetëm për ndeshjet e kupës të përbërë nga gjyqtarët që i kanë kaluar testet fizike dhe teorike si dhe ata që kanë pasur kalueshmëri mbi 50% të testit. Po ashtu KE përcaktoi shumën minimale të kontratave profesionale ndërmjet klubit dhe lojtarit, e kjo shumë është 220 euro, raporton Zëri. /Telegrafi/