Site icon Telegrafi

Gara vazhdon…!

Heq dorë nga dituria, dhe nuk do të dish për vuajtje! (Lao-Tse)

Të premten e kaluar, siç raportuan mediet në Britaninë e Madhe, Ministri britanik i Energjetikës, Chris Huhne, ka dhënë dorëheqje nga ky post, pasi që ai, ka mësuar se së shpejti do të dal para drejtësisë londineze, meqë sipas këtyre mediave, ishte përpjekur ta fshihte një tejkalim të shpejtësisë me veturën e tij, ngjarje që kishte ndodhur në vitin 2003.

Gjithnjë sipas këtyre medieve, ky ministër me reputacion dhe figurë e fuqishme në partinë Liberaldemokrate në koalicionin qeveritar, ka deklaruar se është i pafajshëm, por me qëllim të vetëm, që të evitoj çfarëdo interference me funksionet që ka, ai ka dhenë dorëheqje nga ky post.

Në rrethanat dhe kushtet në të cilat po jetojmë dhe veprojmë ne në Kosovë, ky veprim dhe kjo sjellje e këtij ministri britanik, për shumëkënd është befasues, kurse për pjesën dërmuese të liderëve dhe pushtetarëve tanë, pse jo, ndoshta, edhe një budallallëk i llojit të vet!

Hiç më larg, vetëm një ditë para publikimit të kësaj informate, në njërin nga shtetet më të fuqishme, jo vetëm në aspektin ekonomik të Europës, jemi dëshmitarë kur në Kosovën tonë të mjerë, dhe më të varfër në këtë kontinent, për mbi dy orë, jo në ndonjë aheng siç ndodh gjatë vikendeve dhe festave të ndryshme, anë e kënd këtij vendi, dhe atë, jo vetëm shtetërore, por edhe ato private, dhe jo larg opinionit të gjerë, gati gjitha veturat zyrtare të markave më të shtrenjta, me të cilat voziten zëvendëskryeministra e zëvendëskryeministresha, pastaj Ministra e Zyrtarë tjerë të lartë, por dhe ajo e Kryeparlamentarit dhe Nënkryetarëve të Parlamentin, qëndruan të ndezura në parkingun e Parlamentit, me te vetmin qëllim, që kur të zgjedhurit e Thaçit, përkatësisht të popullit, kur të dalin nga objekti i legjislativit, të akomodohen butë e nxehte, në këto vetura, me të vetmin arsyetim që të mos ftohen, deri sa të shkojnë në ndonjërin nga restorantet e preferuar luksoze, apo në shtëpitë e tyre!

Skenë tjetër domethënëse, ishte edhe ajo, kur po atë ditë, dhe në atë kohë, ambasadori britanik Ian Cliff, i cili ishte pjesë e vëzhgimit të punës së Parlamentit, posa doli në hollin e kuvendit, pa përcjellje nga askush nga stafi i tij i afërt, i veshur më keq se shumica e stafit administrativ të këtij institucioni, me pantallona si të “katërfertalshëve”, pa ndonjë “qallum”, nxori telefonin , dhe ftoi stafin e tij që t’i vijë vetura për ta marrë nga ambasada, dhe nuk hezitoi që nëpër të ftohtë e me borë të dal e të presë për pak kohë edhe në oborr të Parlamentit, duke shikuar qiellin e borën që binte.

Vetëm disa ditë më parë, pas këtij rasti, me veturat”e nxehta” të zyrtarëve të lartë, në oborrin e Parlamentit, e që, pa pardon janë cikërrima krahasuar edhe me deformime e keqpërdorime tjera edhe më të mëdha, ishte edhe një informatë tjetër, e publikuar, ku publikohen të dhëna se si në njërin nga Agjensionet që menaxhohen nga Qeveria, përkatësisht në KPMM, (Komisioni i pavarur për miniera dhe minerale), vetëm për servisim të tri veturave të blera janë paguar 72 mijë euro në emër të servisimit të atyre automjeteve, të cilat janë blerë vetëm 1 mijë euro më shtrenjtë se servisimi, (pra 73 mijë euro), edhe pse me rastin e blerjes servisi e ka pasur obligim mirëmbajtje të tyre.

Kur jemi te servisimi i automjeteve me të cilat vozisin jo vetëm veten, por edhe familjet…, nuk e ka lënë keq edhe Ministri i cili në shikim të parë të duket “melaqe”, dhe duhet të jete shembull sa i përket menaxhimit të parasë publike. Edhe, Ministri i Financave, Bedri “Mercedesi”, siç është quajt, për servisim të dy veturave të kësaj ministrie, gjithashtu ka dhënë mbi 50 mijë euro për një kompani nga e cila janë blerë veturat, nga ish kolegu i tij, meraklia i parasë, Ahmet Shala.

Kur me njërin nga ministrat e Qeverisë Thaçi, para disa ditësh, bisedova për këto fenomene që po tregojnë për(mos) nikoqirllëkun e kësaj Qeverie dhe planin zhvillimor që po premton, gjithnjë kjo Qeveri, edhe me këtë fillim viti, ai paksa duke qeshur më fuqizoi edhe më shumë këto fenmene, kur tha se një zëvendësministër i tij për çdo vikend shkon në një shtet jashtë Kosovës, dhe kuptohet, ditën e hënë, përkatësisht, ditët në vijim të javës, dorëzon faturat te Sekretari Permanent i Ministrisë, për t’i paguar këtij zëvendësministri shpenzimet, në emër të udhëtimit zyrtar!

Këto raste që janë cekur në këtë shkrim janë minore nëse krahasohen me tenderë e keqpërdorime tjera milionëshe, gati në të gjitha fushat e ministritë, për çka po dëshmohen edhe nga auditimet, por në radhë të parë, mosveprimi dhe ndërhyrjet politike, janë fajtorë dhe shkaktarë kryesor të kësaj gjendje që nuk ka të ndalur, e që ka vetëm një emër: Papërgjegjësi dhe javashllek institucional!

Fundi i fundit, këso situata, fatkeqësisht, sjellin dhe prodhojnë vetëm dëme, iritim, provokim…, që herë-herë rezultojnë me anarki e rebelizëm, që nuk i dihet fundi.

Rasti dhe veprimi i ministrit britanik Huhne, por edhe shumë zyrtarëve tjerë nga bota ku funksionojnë ligjet dhe normat demokratike, ku askush nuk është mbi ligjin, janë shembuj, që bile ndonjëherë duhet t’i kopjojë dhe zbatojë edhe Qeveria Thaçi dhe institucionet tjera kosovare, por si duket Kosova është bë rë një arenë perfekte ku po bahet gara se kush po merr më së shumti, kush po rren më së shumti, kush kujt po ia fut…, kush po e falimenton më shumë ketë shtet!

S’ka dilemë, sikur të veprohej në Kosovë, sikur në rastin e Ministrit britanik, mbi gjysma e kabinetit qeveritar Thaçi, afër gjysma e deputetëve, por edhe e shumë zyrtarëve tjerë të lartë, do të duhej, jo të ballafaqoheshin me dorëheqje, por me “flladin…”.

Exit mobile version