Telegrafi

“Gara shpejtësie” në unazën e Tiranës, policia pezullon nëntë leje drejtimi

Policia e Tiranës ka kryer mbrëmjen e djeshme një aksion për monitorimin e shpejtësisë së drejtuesve në unazën lindore të kryeqytetit.

Përmes një komunikate zyrtare, policia bën me dije se, janë konstatuar shpejtësi nga 151 km/h deri në 170 km/h, në një aks rrugor ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h.

Si rezultat janë pezulluar 9 leje drejtimi, për qarkullim me shpejtësi deri në 170 km/h, si dhe janë vënë 51 masa administrative: për shpejtësi mbi normën e lejuar; për shpejtësi dhe përdorim celulari; për shpejtësi dhe mosvënie të rripit të sigurimit; për shpejtësi, përdorim celulari dhe mosvënie të rripit të sigurimit, gjatë drejtimit të automjetit.

9 lejet e drejtimit janë pezulluar me afat 3 -12 muaj, ndërsa masat administrative kanë variuar nga 5 000 – 30 000 lekë të rinj, sipas numrit të shkeljeve të kryera nga drejtuesi i automjetit.

Policia njofton të gjithë drejtuesit e mjeteve se monitorimi me makinat inteligjente vijon edhe në akset e tjera rrugore të vendit.

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët monitorohen nga mjetet inteligjente dhe patrullat e lëvizshme të Policisë Rrugore”, shton policia.

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, thuhet në komunikatën e policisë. /Telegrafi/