Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka deklaruar se do të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj Beogradit zyrtar për të qenë më bashkëpunues në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Këtë deklaratë Gara e ka bërë në një prononcim me shkrim për Telegrafin, teksa ka komentuar vendimin e Komisionit të Serbisë për të ndërprerë punimet në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës edhe në këtë rast ashtu si në rastet dhe lokacionet tjera do të vazhdoj koordinimin e plotë me bashkësinë ndërkombëtare gjithnjë duke kërkuar rritje të presionit ndaj Beogradit zyrtar për të qenë më bashkëpunues në këtë proces, por edhe në mundësinë e sigurimit te të dhënave nga arkivat ndërkombëtare në këtë rast imazhe plotësuese satelitore mbi bazën e të cilave do të mund të saktësohet lokacioni i varrezës masive”, ka thënë Gara.
Ai tutje ka theksuar se ndarja e informatave nga arkivat e institucioneve të Serbisë është krucial për saktësimin e lokacionit të varrezës masive në këtë zonë por edhe në zonat apo lokacionet tjera brenda territorit të Serbisë.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, Bajram Çerkini, i cili ka thënë se ky vendim i Serbisë është lojë e saj për ta zvarritur procesin e gërmimeve.
“Lojnat e serbëve i bëjnë siç i kanë bërë në Kizhevak gjithmonë duke e shtyrë me vite. Por, ato lokacionet të cilat janë marrë vesh dy grupet punuese dy komisionet edhe prokuroria e tyre edhe na i kanë kryer sot”, ka thënë Çerkini.