1.
Qindra fëmijë në Kosovë e kanë braktisur shkollën në pamundësi ekonomike, por edhe për shkak të vështirësive tjera. Konstatimin e ka dhënë Raporti i Progresit. Në këtë numër përfshihen ata që e kanë braktisur shkollën, por nuk ka statistika se sa të tjerë nuk ia kanë mësyrë fare klasave e bankave shkollore.
Ne rrallë flasim për ta. Rrallë na ndodh që në tavolinat e mbushura me machiato e ekspresso të ngrisim zërin derisa debatojmë për të drejtën e këtyre të rinjve.
Në vendin tonë janë edhe gjashtë vajza që nuk shkojnë në shkollë. Kjo, atyre nuk u ndodh për shkak të vështirësive ekonomike apo sociale siç u ndodh qindra të tjerëve. Këto nuk shkojnë në shkollë për shkak se kanë vendosur të bartin shaminë. Por, natyrës së arsyeve të mosvijimit të mësimit, këto gjashtë dallohen nga qindra të tjerë edhe për një fakt: me ditë të tëra, faqe e faqe gazetash, sekonda e minuta të tërë të lajmeve në TV janë mbushur duke e trajtuar problemin e tyre.
Shumë e kafja është ftohur pa u pirë nga debatuesit e kafehaneve tona, tek kanë ngritur zërin e kanë shtjerrë gjithë diapazonin e tyre rreth të drejtës së këtyre gjashtë vajzave që ta vazhdojnë shkollën, ose të drejtës së shtetit që t`ua kërkojë heqjen e shamisë.
2.
Mbi tre mijë llogaritet të jetë numri i organizatave joqeveritare në Kosovë. Shumica e tyre janë joaktive, por ka shumë edhe që punojnë. Ka të tilla që merren me të drejtat e fëmijëve, ka të tilla që merren me ambientin e shumë e shumë sfera specifike. Shumica e tyre, publikimin, qoftë edhe të një fjalie të vetme në media, e kanë ëndërr të parealizueshme. Ekzistojnë edhe qindra forume rinore në Kosovë që kurrë nuk kanë dalë në media.
Ekziston edhe një OJQ dhe një forum që kanë një veprimtari të veçantë. Të dyja flasin në emër të Zotit. LISBA dhe Forumi Rinor i të Rinjve Myslimanë, që mendojnë se krijuesin e gjithësisë e kanë pak më të afërt se ne të tjerët, edhe në rastet kur me komunikatat e tyre nuk bëjnë gjë tjetër pos fyerjeve, përfundojnë në media. Atyre do t`u publikohet në ndonjë portal që vuan nga mungesa e klikimeve edhe një deklaratë që për shembull do ta nisin me të lexuar të kësaj kolumne. Në të do të mundohen të më fyejnë e frikësojnë me kërcënim që, pos tjerash, do ma tregojnë dënimin që një ditë do të ma jap Allahu. Këta mendojnë që Allahun e kanë dost. Unë, sipas tyre, jam veç rob i tij, e këta janë një stad më lart. Janë dostat e tij dhe e dinë se kë e dënon e kë jo.
3.
Dhjetëra folës të shquar kanë marshuar prej kur ka nisur aktivitetin TEDx Prishtina. Formati më i njohur i prezantimeve në Evropë, në Prishtinë realizohet nga disa të rinj vullnetarë. Nga prezantimet e plasuara online shpesh kam përjetuar përjetime të përziera. Asnjëri prej tyre asnjëherë nuk ka dalë në media.
Irfani, nuk është hoxha më i famshëm në Prizren. Bile, ky konsiderohet si kopje e pasluftës së origjinalit të hoxhallarëve të tillë e që është Mazllomi. Por Irfani është më i famshëm se origjinali i tij Mazllomi në nivel Kosove për shkak të një deklarate që nuk la media pa e transmetuar. Nuk është vetëm Irfani, po secili hoxhë që i teket ndonjë budallaki, ka mundësi të jetë personazh i medieve tona.
***
Të tri rastet e lartcekura nuk kanë të bëjnë fort me disa njerëz që kanë vendosur ta përqafojnë islamin radikal ose thënë më mirë islamin mesjetar që synon pushtetin dhe shtetin, pra synon të mos jetë religjion shpirtëror por pushtet ekzekutiv. Me të tillët duhet të merret shteti nëse e kemi një të tillë. Shkrimi më shumë ka të bëjë me ne që duket se po e privilegjojmë një grup të caktuar. E duke i privilegjuar ata, po i diskriminojmë të tjerët. Dhe krejt kjo, duket shumë e organizuar që të besohet se po ndodh rastësisht.
(Autori është Redaktor Përgjegjës në gazetën Tribuna)