Pas drejtimit të tre konkurrentëve, juria e përbërë nga personalitete ndërkombëtare të botës, nderoi mbrëmë në Tiranë me çmimin e parë dirigjenten Delyana Lazarova.
Delyana është dirigjente e re në moshë, por me një eksperiencë në drejtim me orkestra të rëndësishme, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë e Azi. Ajo është përzgjedhur si dirigjente edhe në Festivalin Aspen Music që do të zhvillohet gjatë këtij viti.
E emocionuar, Delyana falënderoi të gjithë muzikantët e Orkestrës së RTSH-së duke shpresuar që të rikthehej sa më shpejt që të drejtojë një koncert të vërtetë me “këta artistë të jashtëzakonshëm”.
Kryetari i jurisë, Mjeshtri I Madh Zhani Ciko, u shpreh se për jurinë ishte shumë e vështirë të merrte vendim kur ke të bësh me talente të tilla, ndaj çmimin e dytë juria e ndau midis Andrew Joon Choi dhe Ji Yujue.
Juria e konkursit kishte këtë përbërje:
Zhani Ciko – Mjeshtër I Madh
Vittorio Parisi – Dirigjent, docent në Konservatorin G.Verdi, Milano.
Bernt Bauge – Menaxher i Filarmonisë së Bergenit, Norvegji
Gyorgy Igric – Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të Radios, Hungari
Maurizio Cocciolito – Drejtor Artistik i Solisti Aquilani