Telegrafi

Gara e jashtëzakonshme për golashënuesin më të mirë ndërmjet Ronaldos dhe Immobiles

Cristiano Ronaldo dhe Ciro Immobile (Foto: Getty Images/Guliver)

Për herë të parë që nga sezoni 1950/1951 është arritur shifra prej 30 golash në Serie A nga dy futbollistë, ndërsa kampionati akoma nuk ka përfunduar.

Për më shumë, këtë numër të golave e kanë shënuar dy futbollistë. Cristiano Ronaldo dhe Ciro Immobile janë në garë të drejtpërdrejtë për golashënuesin më të mirë të edicionin 2019/2020 në kampionatin italian, ndërsa fituesi do ta rrëmbejë çmimin e njohur si Capocannoniere.

Në fitoren e Juventusit (2-1) ndaj Lazios, superylli portugez i shënoi dy gola – fillimisht duke e barazuar rivalin e tij dhe pastaj duke e tejkaluar. Mirëpo, sulmuesi italian shënoi nga penalltia gjatë asaj sfide dhe sërish u barazua me CR7 në listën e golashënuesve më të mirë, me nga 30 gola. Njëherësh, të dy këta futbollistë i kanë shënuar nga 12 njëmbëdhjetëmetërsha këtë sezon.

(Foto: Screenshot/Twitter)

Hera e parë dhe e vetme kur dy lojtarë kishin shënuar më shumë se 30 gola brenda një sezoni në Serie A, kishte ndodhur në edicionin 1950/1951, kur Gunnar Nordahl (Milan) dhe Istvan Nyers (Inter) i kishin prekur këto shifra.

Lexo po ashtu Juventusi i falet Ronaldos - portugezi 'fundosi' Lazion me dy gola fantastikë

Ronaldo dhe Immobile mund ta sfidojnë edhe rekordin golashënues të kampionatit italian prej 36 golash (që mbahet nga Gonzalo Higuain, i cili në sezonin 2015/2016 i kishte shënuar me Napolin).

Po ashtu, të dy këta lojtarë janë në konkurrencë edhe për Këpucën e Artë evropiane, pasi kanë vetëm katër gola më pak se lideri Robert Lewandowski, ndërsa në Serie A janë edhe katër xhiro për t’u zhvilluar. /Telegrafi/