Site icon Telegrafi

GAP: Strategjitë në Administratën Publike ngecje në zbatim

Instituti GAP ka hartuar një raport të shkurtër i cili tregon se sa është zbatuar Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike në Kosovë gjatë periudhës një vjeçare, tetor 2015 – tetor 2016.

Raporti ka analizuar tri fushat strategjike: Shërbimi civil, procedurat administrative dhe ofrimi i shërbimeve administrative dhe organizimi i administratës publike dhe llogaridhënia.

GAP thekson se Ministria e Administratës Publike (MAP) e koordinon zbatimin e kësaj strategjie derisa një numër i institucioneve të ndryshme janë përgjegjëse për zbatimin e saj.

Të tri fushat kanë një numër të aktiviteteve të cilat është dashur të kryhen gjatë periudhës tetor 2015 – tetor 2016 dhe pjesa në vazhdim ofron një përmbledhje sa sa ka pas progres në zbatimin e këtyre aktiviteteve.

Të gjeturat e GAP-it janë:

1. Shërbimi civil: në krahasim me fushat tjera të strategjisë, fusha e shërbimit civil ka pasur një progres më të lartë në zbatim gjatë periudhës së vlerësimit (tetor 2015-tetor 2016). Klasifikimi i vendeve të punës në shërbimin civil është kryer, por nuk është bërë ndërlidhja me zbatimin e sistemit të ri të pagave në shërbimin civil si pasojë e mungesës së buxhetit që ka ky aktivitet. Sa i përket kalimit të dosjeve të personelit në shërbimin civil nga dosjet fizike në një sistem të integruar dhe elektronik, ky aktivitet është në proces dhe sipas të dhënave të MAP, rreth 40% e institucioneve deri sot e kanë përfunduar këtë aktivitet. Aktitivitete të përfunduara me sukses janë ato që kanë të bëjnë me lidhjen e sistemit elektronik të menaxhimit të burimeve njerëzore me sistemin e pagave në Ministrinë e Financave dhe Trustin Pensional, hartimi i strategjisë për trajnimin e nëpunësve civil dhe plani i veprimit sipas strategjisë. Në proces të zbatimit janë edhe trajnimi i zyrtarëve të personelit në përdorimin e sistemit elektronik, hartimi i legjislacionit për shërbimin civil duke përfshirë plotësim ndryshimin e Ligjit për shërbimin civil dhe nxjerrjen e legjislacionit sekondar.

2. Procedurat administrative dhe ofrimi i shërbimeve administrative: nga 12 aktivitete që bien në këtë fushë për t’u zbatuar gjatë periudhës tetor 2015-tetor 2016, tetë aktivitete nuk janë kryer, dy kanë filluar të kryhen, një aktivitet është në përfundim dhe një tjetër është kryer. Është miratuar Ligji për procedurën e përgjithshme administrative mirëpo nuk janë kryer aktivitetet që kanë të bëjnë me rishikimin e funksioneve të MAP dhe rishikimin e rregullores për organizimin e brendshëm në MAP. Po ashtu nuk është kryer integrimi i shtatë sistemeve dhe zhvillimi i platformës kryesore të interoperabilitetit. Aktivitetet ku është shënuar progres dhe që janë gati në përfundim janë identifikimi i shërbimeve administrative nga institucionet dhe publikimi i listës me të gjitha të dhënat dhe vendosja e kutive për matjen e opinionit të qytetareve lidhur me shërbimet e ofruara. Të dy k ëto aktivitete janë në përfundim dhe pritet të fillojnë të zbatohen në fillim të 2017.

3. Organizimi i administratës publike dhe llogaridhënia: nga tetë aktivitete të planifikuara me strategji dhe plan të veprimit, gjashtë aktivitete nuk janë kryer, është kryer një aktivitet dhe ka filluar një tjetër aktivitet. Është kryer koncept dokumenti për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për shërbimin civil mirëpo nuk është plotësuar Ligji dhe as nuk është miratuar në Kuvend, nuk është plotësuar dhe ndryshuar Ligji për administratën shtetërore si ligj kornizë për organizimin e administratës publike.

Bazuar edhe në raportet e MAP për zbatimin e kësaj strategjie, janë në numër i sfidave që po e pengojnë zbatimin e saj:

1) Mungesa e buxhetit kryesisht në dy drejtime: për zbatimin e sistemit të ri të pagave konform klasifikimit të vendeve të punës dhe mungesa e buxhetit në zhvillimin e platformës së interoperabilitetit, lidhja apo integrimi i sistemeve të parapara me plan të veprimit;

2) Ka vonesë të theksuar në miratimin e pakos ligjore, përkatësisht tri ligjeve bazike për reformën në administratën publike: Ligjit për shërbimin civil, Ligjit për organizimin e administratës publike dhe Ligjit për paga;

3) Vonesa në funksionalizimin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ);

4) Vonesa të theksuara në plotësim ndryshimin e Ligjit për qasje në dokumente publike;

5) Raportim i mangët në MAP i institucioneve përgjegjëse për zbatimin e aktiviteteve të parapara me plan të veprimit për zbatimin e strategjisë.

Exit mobile version