Site icon Telegrafi

GAP: Investimi në Termokos i dobishëm

Instituti GAP ka vlerësuar sot se investimi prej 37 milionë euro në sistemin e koogjenerimit ka zvogëluar konsumin e energjisë elektrike për mesatarisht 34 për qind në zonat e Prishtinës që janë të lidhura me ngrohtoren Termokos.

Me këtë rast, vlera monetare e këtij kursimi është mbi 600 mijë euro vetëm për dy muaj (dhjetor 2014-janar 2015), ndërsa kërkesa për energji elektrike është zvogëluar për mbi 6 milion kwh.

Këtë hulumtim ata e bënë të ditur sot nëpërmjet një konference për media me temë “Si i ndikoi koogjenerimi faturat e energjisë në Prishtinë”.

Sipas raportit të bërë nga ky institut në sezonin dimëror 2013-2014 mesatarisht 34 për qind e konsumatorëve të Termokosit kanë ngrohur 100 për qind të hapësirës banuese, ndërsa 26 për qind e tyre kanë ngrohur vetëm gjysmën.

Ndërsa pas funksionimit të koogjenerimit 91 për qind e konsumatorëve kanë ngrohur tërë hapësirën banuese, përderisa vetëm 2 për qind e konsumatorëve kanë ngrohur tërë hapësirën banuese.

Blend Hyseni, nga Instituti GAP i cili edhe bëri prezantimin e raportit tha se pas kalimit nga ngrohja elektrike në atë me avull faturat e energjisë elektrike kanë rënë për 34 për qind.

“Para koogjenerimit 83 për qind e të anketuarve kanë përdorur energjinë elektrike si burim primar të ngrohjes dhe vetëm 4 për qind e kanë përdorur ose janë varur nga ngrohtorja Termokos. Pas përfundimit të projektit të koogjenerimit ka pasur një rënie drastike të përdorimit të energjisë elektrike nga 83 për qind në 5 për qind ndërsa ngrohtorja qendrore është rritur nga 4 për qind në 92 për qind. Si pasoj e kalimit të ngrohjes elektrike në ngrohje qendrore faturat e energjisë elektrike kanë rënë diku përafërsisht deri në 34 për qind. Nëse kjo shifër aplikohet tek të gjithë konsumatorët e Termokosit atëherë kursimi vjetor – sezonal është afër 1.5 milion euro”, tha Hyseni.

Genc Bashota, drejtor i zhvillimit ekonomik në Komunën e Prishtinës tha se ky projekt është tipik projekt i eficiencës së energjisë se pse nga njëra anë ofron nxehje kualitative, ndërsa nga ana tjetër redukton diku 35 për qind të shfrytëzimit të konsumimit të energjisë elektrike në qytet.

“Ky projekt për momentin përfshinë diku 12 mijë konsumatorët që i bije afër 60 mijë banorë janë të kyçur në ngrohje. Më bëri përshtypje që sipas anketave diku 94 për qind kanë qenë të pakënaqur para se të lidhen me koogjenerimin e Termokosit, ndërsa tani janë 8 për qind të pakënaqur. Kjo besoj që ka ndodhur se në disa vende rrjeti nuk ka mund të funksionoj si duhet apo edhe dikush ka qenë i pakënaqur se ka qenë tepër nxehtë. Është me rëndësi të thuhet se ky projekt nuk ka përf unduar viteve në vazhdim do të përfundoj”, tha Bashota.

Edhe Henriette Kotter nga ambasada gjermane tha se Kosova e ka rrit efiçiencën e energjisë në 20 për qind duke shtuar se Gjermania ka mbështetur Kosovën në energji që nga viti 1999. Ajo tha se qeveria gjermane më 2015 ka ndarë edhe 5 milionë euro për Termokosin.

“Termokosi ka ngritur edhe shkallën e faturimit edhe të inkasimit dhe shohim se konsumatorët janë shumë të lumtur me shërbimet që janë përdorur përmes koogjenerimit. Natyrisht se ka edhe një efekt shumë të mirë në kuptimin e efiçiencës ku e ka ngritur efiçiencen e energjisë për 20 për qind. Gjithashtu ka pasur një ndikim shumë të mirë edhe në buxhet, sepse tani nuk duhet të subvencionohet nga Qeveria. Gjermania ka mbështetur Kosovën në sektorin e energjisë që nga ’99-ta me mbi 250 milion eur o investime afatgjate për sigurimin e furnizimit të integrimit të Kosovës në tregun regjional të energjisë”, tha Kotter.

Marrë parasysh përfitimet e funksionimit të Termokos-it si dhe mundësit e përmirësimit edhe të ngrohtoreve tjera në Kosovë, Instituti GAP ka rekomanduar që të bëhen përmirësime në rrjetin e shpërndarjes te lagjet e qendrës së Prishtinës ku vitin e kaluar ka qenë funksionimi i dobët i ngrohjes qendrore, si dhe gjatë sezonit të ngrohjes, në orët e natës të mbahet temperatura e dhomës prej max 20 gradë celsius, e jo të funksionojë njëjtë me temperaturat e ditës. /Telegrafi/
/Telegrafi/

Exit mobile version