Telegrafi

Gani Thaçi, vëllai i Presidentit, intervistohet nga Policia dhe lirohet në procedurë të rregullt

Vëllai i Presidentit Hashim Thaçi, Gani Thaçi, i përfshirë në një përleshje, pasi është intervistuar nga Policia , është liruar në procedurë të rregullt.

Gani Thaçi, gjatë ditës së sotme është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, pasi ishte përfshirë në një përleshje qe ka ndodhur në Byronë Kosovare të Sigurimeve ku edhe punon Thaçi.

Viktima e këtij rasti është intervistuar dhe është liruar më pas.

Policia e Kosovës ka konfirmuar një incident, i cili ka ndodhur rreth mesditës sot në Prishtinë në të cilin, siç kanë raportuar mediat, ka qenë i përfshirë Gani Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Lexo po ashtu Prokuroria: Gani Thaçi është i dyshuar për përleshjen

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, tha për Kallxo.com se policia ka marrë një informacion për një përleshje fizike mes tre personave.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedurale”, tha zëdhënësja e Policisë.

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e konfirmoi sot se vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi, ka qenë i përfshirë në një përleshje në mjediset e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, konfirmoi për Kallxo.com se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij janë duke u hetuar si i dyshuar për këtë incident.

Lexo po ashtu Presidenti Thaçi, për përfshirjen e vëllait të tij në rrahje: Ftoj organet ta trajtojnë rastin sipas ligjit

“Të dyshuarit janë Gani Thaci dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është inicuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, tha Berisha.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar rreth incidentit ku ishte i përfshirë vëllai i tij, Gani Thaçi.

Ai tha se është njoftuar për përfshirjen e vëllait të tij në një “përleshje sporadike fizike”.

Thaçi tha se asnjëherë nuk do ta arsyetojë asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky.