Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, mund të shkarkohet nga kryeministri Isa Mustafa nëse vetë ai nuk jep dorëheqje, pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij lidhur me rastin “Stentat”.
Agani bashkë me 63 persona tjetër akuzohet për dëmtim të buxhetit të Kosovës për më shumë se 4.5 milionë euro.
E, në rast se ndodh një gjë e tillë, në media po flitet se postin e ministrit të Mjedisit mund ta marrë ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Gani Koci.
Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar tani për tani Koci, i cili në një prononcim për Telegrafin tha se nuk ka informacion për këtë çështje.
LEXO PO ASHTU: Gani Koci në vend të Ferid Aganit, në pozitën e Ministrit të Ambientit?
“Nuk e kamë asnjë informacion nuk e di. Shumë është përfol rreth ermit tim, por nuk kam informacion dhe këtë prej jush po e dëgjoj”, ka thënë Koci për Telegrafin.
I pyetur se në rast se merr ndonjë ftesë për të udhëhequr këtë ministri a do të pranonte, Koci ka thënë se për këtë vendos kryesia e partisë.
“Nuk e di këtë mundet vetëm kryesia e partisë, njerëzit e partisë me vendos me propozua, unë nuk kam asnjë informacion”, u shpreh Koci.
Gani Koci më herët është përfolur shumë si zëvendësues i Hajredin Kuçit në pozitën e Ministrit të Drejtësisë, por që nuk ndodhi. /Telegrafi/