Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media është shprehur se vendimi i BQK-së për Rregulloren e re duhej të jetë proces i negociatave në Bruksel.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar konsulenti i jashtëm i Ambasadës së Kosovës në Bruksel, Gani Jakupi.
Jakupi, duke i replikuar Stanos, shkroi me një gjuhë të papërshtatshme, “What the fu*k”.
“WTF?! Që kur sistemi i brendshëm bankar i një shteti sovran duhet të respektojë një “zgjidhje të negociuar” në një subjekt të huaj? Qasja koloniale nuk është asgjë e re, por ja që po i del pak nga kontrolli, kam frikë…”, ka shkruar Jakupi.
Angazhimi i Gani Jakupit si konsulent i jashtëm për Ambasadën e Kosovës në Bruksel ka nxitur reagim në opinionin publik lidhur me vlerën e pagës së tij.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka arritur të sigurojë kontratën e Gani Jakupit e cila është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024.
BIRN-it i është ofruar qasje në këtë kontratë pas betejës me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi që të ketë qasje në dokument.
Sipas dokumentit, çmimi i tërësishëm i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.
“Kësti i parë paguhet menjëherë pas lidhjes së kontratës ndërsa këstet tjera më se largu deri në datën 5 të çdo muaji”, thuhet në kontratë.
Por, cilat janë përgjegjësitë dhe obligimet e Gani Jakupit, i cili jeton në Barcelonë të Spanjës, ndërsa merr mbi 7 mijë euro në muaj si konsulent për lobim kryesisht në tri vendet e Beneluksit?
Sipas dokumentit, objekti i kësaj kontrate është ofrimi i shërbimeve të konsulencës, këshillimit dhe aktiviteteve të ngjashme me qëllim të krijimit, zhvillimit dhe përforcimit të imazhit kulturor e mediatik të Kosovës me fokus të veçantë në shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë, Luksenburg)./Telegrafi/