I akuzuari Gani Geci ka treguar në hollësi ngjarjen e 4 gushtit 2014 kur ai e privoi nga jeta Ruzhdi Shaqirin.
Gani Geci ka dhënë versionin e tij për rastin e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit, për çka ai po gjykohet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Më pas ai rrëfeu momentin e ngjarjes tragjike të 4 gushtit të vitit 2014 në kafiterinë “N’Qosh” në Skenderaj ku mbeti i vrarë Ruzhdi Shaqiri.
“Kam qenë duke dalë në shkallë të lokalit për me dalë në shesh dhe kam dëgjuar një fjalë arabe ‘selam alejkum’ dhe jam kthyer e kam pa që me ka thënë Ruzhdi Shaqiri dhe jam tutë se Ruzhdiun s’e kam pa kurrë ne Skenderaj e as në kafiterinë ku kam shkuar unë”, tha Geci.
Më tej, Geci foli për bisedën e zhvilluar me tashmë të ndjerin Shaqiri.
“Dhe kam shkuar afër tavolinës dhe i kam thënë a i ke tubu pleqtë me m’bo be ku je konë me 19.10 dhe Ruzhdia e ka shtyrë tavolinën, nuk um ka lanë me përmend datën 2001 dhe me njëren dorë e ka shty tavolinën dhe në atë kohë unë kam qenë ballë për balle me të dhe me ka thënë hup shko k… q… nënën dhe disa fjalë të tjera dhe e ka shtyre tavolinën, u mundu mu çu në këmbë dhe unë jam friku se e kam pa diçka si zi dhe thash nxjerri armë dhe unë jam hup s’di as çka kom bo”, tha Geci
Anëtarja e trupit gjykues Iva Nikshiq e pyeti për momentin e shkrepjes së armës dhe se çfarë ka bërë ky pastaj.
“Më vonë e kam kuptuar që 4, sepse 5 fishekë i kam pasë në armë kur kam mbërri në shpi aty e kam takuar nënën duke qajtur dhe me vonë kanë ardhur edhe vëllezërit edhe policia unë kam qenë në një shpi tjetër”, theksoi Geci.
Avokati i tij, Ndrec Dodaj e pyeti atë se pse nuk është larguar nga lokali pasi që ka qenë duke dalë, pse nuk i është shmangur takimit me Ruzhdi Shaqirin. Me këtë rast, Geci u përgjigj: “Unë edhe ma herët kur e kam pa Ruzhdi Shaqirin nuk ja kam kthy shpinën sepse atë e kam konsideruar si njeri të rrezikshëm dhe sja kam kthy shpinën kurrë”, shtoi ai.
Seanca e radhës, ku pritet të jepet fjala përfundimtare nga prokurorja Lili Oprea Stalute, është caktuar për datën 26 të këtij muaji./Kallxo.com/