Telegrafi

Gani Geci, me kallëzim penal për tentim-vrasje ndaj Azem Sylës

Disa javë pas incidentit në qendër të Skenderajt, ku të përfshirë ishin dy ish-deputetët Gani Geci e Azem Syla, Policia e Kosovës ka ngritur një kallëzim penal ndaj Gani Gecit, me pretendimin se kreu veprën penale të vrasjes në tentativë ndaj Azem Sylës. Kallëzimi penal, sipas zyrtarëve të prokurorisë së Mitrovicës, vazhdon të mbetet i pahetuar, ndërsa si arsye përmendet numri i vogël i prokurorëve.

“Në prokurorinë tonë ka kallëzim penal ndaj Gani Gecit, për vrasje në tentativë, e ku i dëmtuar është Azem Syla”, ka thënë Shyqeri Syla, kryeprokuror i Mitrovicës.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Ndrecë Dodaj, avokat i Gani Gecit, ka thënë se nuk janë në dijeni për ekzistimin e një kallëzimi të tillë.

“E di që Gani Geci është marrë në pyetje, por nuk jemi njoftuar të ketë kallëzim penal”, theksoi Dodaj.

Gani Geci dhe Azem Syla, në tetor të vitit 2013, gjatë fushatës zgjedhore kishin pasur një konflikt verbal në qytetin e Skenderajt. Incidenti kishte ndodhur pas përfundimit të një tubimi parazgjedhor, kur Syla kishte kaluar afër lokaleve të vëllezërve Geci. Në momentin e kacafytjes ishte dëgjuar edhe një e shtënë e armës. Askush nuk e shpjegoi së kush kishte shtënë me armë atë ditë, ndërsa familjarët e Gani Gecit patën deklaruar së e dinë personin që e kishte bërë këtë.

Azem Syla nuk ishte prononcuar asnjëherë për këtë rast, duke e lënë atë në dorë të drejtësisë. /kallxo/