Gana është bërë vendi i parë që ka marrë vaksinat kundër COVID-19 përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkruan në deklaratën e përbashkët të UNICEF Gana dhe OBSH Gana.
Dërgesa, e përbërë nga 600 mijë doza të vaksinave AstraZeneca, mbërriti në 7:00 të mëngjesit përmes një fluturimi të Emirates në Aeroportin Ndërkombëtar Kotoka, në kryeqytetin e Ganës, Akra, raporton cnn.
Vaksinat u prodhuan nga Instituti Serum i Indisë dhe janë pjesë e valës së parë të vaksinave që iu janë dhënë falas vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, shtoi deklarata e përbashkët.
“Sot shënohet momenti historik për të cilin ne kemi planifikuar dhe punuar aq shumë”, tha Drejtori Ekzekutiv i UNICEF-it, Henrietta Fore.
Ndryshe, Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka pohuar më parë se vendi ynë ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX, për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19. /Telegrafi/