Telegrafi

Gallup International: Optimizmi ekonomik i rusëve në nivelin më të ulët prej dy dekadave

Optimizmi ekonomik i rusëve për vitin 2021 ka rënë në nivelin më të ulët prej dy dekadave.

Kështu thuhet në sondazhin e Gallup International, duke shtuar se të ardhurat e rusëve ranë pas reduktimit të kërkesës botërore të naftës, gjë që goditi rëndë ekonominë e Rusisë.

Sipas medieve ruse, sondazhi thotë se vetëm 6 për qind e të anketuarve presin që 2021-ta do të jetë një vit i lehtë, ndërsa 47 për qind e rusëve presin vështirësi ekonomike.

Rezultati i prej minus 41 pikë përqindjeje në Indeksin e Optimizmit të Gallup përputhet me atë të vitit 1998, i njohur si viti i krizës financiare të Rusisë.

Pesimizmi i rusëve ndaj vitit 2021 krahasohet me mesataren botërore të Gallup, që është 25 për qind e të anketuarve presin prosperitet ekonomik dhe 46 për qind presin vështirësi.

Në anketë, 40 për qind e rusëve thanë se nuk prisnin ndryshime ekonomike gjatë vitit 2021, krahasuar me mesataren botërore prej 24 për qind dhe 8 për qind e tyre nuk kishin përgjigje, krahasuar me mesataren botërore prej 6 për qind.

Lexo po ashtu Mbi 70 për qind e rusëve thonë se gjendja e tyre ekonomike do të jetë e vështirë gjatë vitit 2021

Po ashtu, sipas Qendrës ruse për Hulumtime “Levada Center”, 73 për qind e rusëve mendojnë se gjendja ekonomike gjatë vitit aktual do të jetë e tensionuar.

Nga llogaritjet e viteve të kaluara, gjithnjë e më shumë rusë thonë se gjendja e tyre po përkeqësohet.

Ditë më parë, një kontraktor norvegjez në “Nord Stream II” ka refuzuar të mbështesë projektin e tubacionit të gazit të drejtuar nga Gazpromi rus.

Det Norske Veritas – Germanischer Lloyd (DNV GL), i cili është i ngarkuar me procedurat e verifikimit, konfirmoi se ka ndaluar punën në gazsjellës.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosen sanksione ndaj kompanive që nuk hoqën dorë nga projekti i “Nord Stream II”.

Si dhe SHBA-ja ashtu dhe Polonia e Ukraina janë kundër ndërtimit, duke thënë se projekti do t’i japë Moskës një avantazh mbi Gjermaninë. /Telegrafi/