Telegrafi

Galeria e Ministrisë së Kulturës ka përzgjedhur programin për vitin 2020

Në bazë të konkursit publik për Programin Artistik të Galerisë së Ministrisë së Kulturës për vitin 2020, i cili ka qëndruar i hapur nga data 1 tetor 2019 e deri më 11 nëntor 2019, për të qenë pjesë e repertorit të GMK-së për vitin 2020 kanë aplikuar rreth dyzet artistë/e vendas, nga rajoni dhe më gjerë nga Evropa e Kanadaja.

Ministri i Kulturës, në bazë të kompetencave të tij, këto ditë ka emëruar Komisionin Artistik, përgjegjës për shqyrtimin dhe seleksionimin e projekteve konkurruese. Komisioni ka këtë përbërje: Shqipe Kamberi (kryesuese), si dhe Zana Ramadani dhe Hajrullahu (anëtare). Pas shqyrtimit të projekteve konkurruese dhe në përputhshmëri me politikat kulturore e programore të GMK-së për vitin 2020, në takimin e mbajtur më 22 janar 2020, Komisioni vendosi për projektet dhe artistët/et që do të ekspozojnë këtë vit në Galerinë e Ministrisë së Kulturës: Faik Krasniqi; Michael Stoeger, Florent Pista, Idlir Koka, Argenita Fetahu, Pranvera Kicaj, Yll Xhaferi dhe Engji Jaha.

Gjithashtu, në bazë të kompetencave ligjore, koordinatorja e GMK-së, Dhurata Ramosaj, ka të drejtë që përveç këtyre tetë projekteve të përzgjedhura nga Komisioni, të ftojë për ekspozitë edhe dy artistë të dalluar vendas apo të jashtëm.