Site icon Telegrafi

Gafurr Dibrani, i dyshuar për terrorizëm, dëbohet nga Italia

 

Hetimet për terrorizëm në Itali ndaj kosovarit Gafurr Dibrani, autoritetet italiane i kishin filluar pas masakrës së ISIS kundër priftit, Jacques Hamel në Francë.

Dibrani në atë kohë kishte publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku shiheshin terroristët e ISIS duke bërë propagandë kundër Perëndimit. Ai gjithashtu kishte shpërndarë materiale me video ku shiheshin fëmijë, që siç pretendon ISIS, ishin të jo besimtarëve, transmeton Gazeta Express.

Mediat italiane kanë njoftuar se 24-vjeçari ishte arrestuar në një aksion kundër terrorizmit në Digos Brescia të Italisë.

Mirëpo, Gafurr Dibrani që nga arrestimi i tij, kishte thënë se është i pafajshëm dhe kurrë nuk kishte punuar në favor të terroristëve. Dy javë pas arrestimit, gjykata në Itali kishte lëshuar urdhrin për lirimin e tij pasi kishte mungesë të provave.

Arsyeja e lirimit ka të bëjë me “prova të pamjaftueshme”, ka thënë Ministria e Brendshme.

Avokati i tij, megjithatë, kishte njoftuar se do të apelojë kundër akuzave ndaj Dibranit. I riu, ka qëndruar në Fiesse të Italisë, vendi ku ai u rrit dhe jetoi me familje për 10 vite.

Mirëpo, sot mediat italiane njoftuan se Gafurr Dibrani është dëbuar nga Italia pas dyshimeve për terrorizëm.

Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano ka thënë se hetimet kanë treguar se i huaji është i lidhur me një rrjet të një luftëtari maroken, i cili ishte larguar nga Brescia më 2013-në për të shkuar në Siri dhe Irak për t’iu bashkuar të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS).

Alfano ka thënë se profili i Facebookut të kosovarit ka qenë “interesant”, e kjo për shkak të përmbajtjes së tij xhihadiste dhe lidhjet me dy islamistë të tjerë, të cilët ishin dëbuar më herët nga Italia, transmeton Gazeta Express.

Ministri i Brendshëm italian gjithashtu ka shtuar se edhe një pakistanez 42 –vjeçar i “radikalizuar” është dëbuar të mërkurën nga Italia, kështu duke çuar numrin në 127 të të dyshuarve për terrorizëm që janë dëbuar nga Italia që nga janari i vitit 2015.

Exit mobile version