Site icon Telegrafi

Gafat dhe dështimi i protokollit në seancën solemne (Video)

​Nuk kishte ulëse të mjaftueshme. Mysafirët nuk dinin se ku të ulen, ndërsa, edhe pse pati të atillë që refuzuan, disa mysafirë i sillnin nga lartë tek rendi i parë. I tillë ishte fillimi i seancës solemne rastin e shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë të Kosovës

Dështimi nisi me prurjen e karrigeve me vonesë për mysafirët e rendit të parë. Pastaj, ish-presidenti, Fatmir Sejdiu dhe ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, të cilët edhe pse patën rol kyç në shpalljen e pavarësisë të Kosovës, duke qenë në pozitat më të larta shtetërore atëbotë, nuk ishin paraparë fillimisht në ulëset e para.

Sejdiu u ftua më pas në rreshtin e parë, Krasniqi refuzoi të lëvizte nga vendi ku fillimisht e kishin caktuar.

Derisa shumë mysafirë u panë në këmbë, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, bëri thirrje që këta të fundit të gjenin vend në karriget e zbrazëta të deputetëve.

“I lus të gjithë mysafirët që nuk i kanë vendet e rezervuara, të ulen në sallë. Po më duket se disa nuk kanë vend atje lartë, mund të vijnë dhe të ulen në karriget e zbrazëta të deputetëve”, sugjeroi ai.

Sipas asaj që tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i bie që në këtë seancë të ketë pasur mysafirë më shumë se që kanë qenë të ftuar. Kurse, derisa po iu drejtohej të pranishmëve bënë një lapsus, ku kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, e quan kryeministër të Kosovës, e menjëherë pas kësaj shpjegon se disa nga emrat nuk i kishte paraparë protokolli.

“Të nderuar koleg deputetë, i nderuar president i Republikës të Kosovës, Hashim Thaçi, i nderuar kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, i nderuari president i Republikës të Shqipërisë, Ilir Meta, do të mundohem të shkoj me rend, i nderuari kryeministër i Kosovës, Edi Rama. Protokolli nuk i ka paraparë të gjithë emrat, unë do të mundohem edhe me gabime edhe pa gabime t’i shkojë një për një”, ka thënë Veseli.

Reagimet për këto parregullsi ishin të menjëhershme. Kështu deputetja Mimoza Kusari-Lila kishte postuar në facebook një shkrim të cilit i kishte vendosur mbishkrimin “Na bëtë horë e hajt”.

Përmes telefonit, Kusari-Lila tha për KosovaPress se asgjë nuk i arsyeton gjithë ato gabime të bëra brenda një seance, sidomos kur dihet se qysh moti kanë mundur të bëhen përgatitjet protokollare për shënimin e vitit jubilar të pavarësisë të Kosovës.

Ajo e quan seancën e djeshme si përvojën më të keqe të organizimeve shtetërore, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

“Lëshime të paarsyeshme janë bërë në protokoll për një ditë. Nuk ka pasur as organizim, as radhë, as rend, qysh nga pritja e mysafirëve. Mendoj se është një prej përvojave më të këqija personalisht, në organizime shtetëror, brenda dhe jashtë vendit për faktin se është vërejtur se me çfarë kriteri janë respektuar dhe janë pritur mysafirët. Mendoj se është një lëshim që nuk ka arsyetim”, tha ajo.

KosovaPress ka tentuar të marrë deklaratë edhe nga Presidenca, ku këshilltari i Presidentit, Ardian Arifaj, sa i përket mbarëvajtjes së seancës solemne, tha se nuk i ka takuar presidencës organizimi i seancës, por Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndërsa sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Kraniqi, përmes telefonit, gjithë përgjegjësinë i la Këshillit Organizativ për Shënimin e Pavarësisë së Kosovës, pasi që tha se atyre iu takon të flasin për këtë çështje.

Një ndryshim në këtë seancë është pa edhe te deputetët e grupit të të pakënaqurve në Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët u ngritën në këmbë teksa intonohej himni i Republikës së Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version