Site icon Telegrafi

Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon Trump

Donald Trump ka reaguar në lidhje me tërheqjen e nominimit të Matt Gaetz për prokuror të përgjithshëm.

“Unë i vlerësoj shumë përpjekjet e fundit të Matt Gaetz për të marrë miratimin që të bëhet prokuror i përgjithshëm”, shkroi fillimisht Trump në Truth Social.

“Ai po bënte një punë shumë të mirë, por, njëkohësisht, nuk donte të ishte problem për administratën, për të cilën ka shumë respekt. Matt ka një të ardhme të shkëlqyer dhe mezi pres t’i shoh të gjitha gjërat e mëdha që ai do t’i bëjë”, përfundoi presidenti i ri amerikan.

Gaetz raportohet se kishte njoftuar paraprakisht Trumpin se do të tërhiqet nga nominimi pas presionit të publikut.

Ndryshe, kongresisti ka qenë nën hetime nga Departamenti i Drejtësisë për një periudhë afërsisht tre vjeçare me akuzat për trafikim seksual që përfshijnë një vajzë 17-vjeçare. Ai mohon akuzat dhe nuk ka përballuar akuzat penale.

Ai ka qenë gjithashtu nën vëzhgim nga Komiteti i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve për akuza më të gjera, duke përfshirë abuzim seksual, përdorim të drogës dhe pranim të dhuratave të papërshtatshme.

Hetimi u ndal më 13 nëntor, kur Gaetz dha dorëheqje nga Kongresi amerikan – i vetmi forum ku komiteti ka juridiksion.

Komiteti i Etikës në Senat nuk është lejuar të publikojë raportin konfindecial për Gaetzin. /Telegrafi/

 

Exit mobile version