Flokët i ngjyrosni në shtëpi! Shumë mirë! Me ofertën e sotme të ngjyrave mund të arrini pa problem rezultate profesionale dhe të kurseni kohë dhe para, por kjo nuk do të thotë se kësaj detyre nuk duhet t’i qaseni seriozisht.
Këto janë gabimet më të zakonshme që i bëjnë femrat kur është fjala për ngjyrosjen e flokëve:
1. E përhapni ngjyrën gabimisht
Përveç nëse bëhet fjalë për ngjyrosjen e parë të flokëve, ju nuk mundeni që thjesht vetë ta shpërndani ngjyrën si të dëshironi. Madje edhe aplikimi i njëtrajtshëm i ngjyrës është një veprim i gabuar, sepse në flokët që nuk janë trajtuar me ngjyrë (rrënjët), ngjyra duhet të qëndrojë më gjatë.
Së pari, aplikojeni ngjyrën në pjesën më afër majës së kokës, prisni 10 minuta, dhe pastaj aplikojeni në të gjithë flokët. Nëse gjithmonë i ngjyrosni flokët me të njëjtën ngjyrë, mund t’i ngjyrosni edhe vetëm rrënjët.
2. Nuanca e gabuar sjell rezultate katastrofale
Kjo është veçanërisht e vërtetë për vajzat bionde dhe ato që duan flokë të kuqe. Nuk ka rëndësi që tetoja në pakon (e ngjyrës) duket mrekullueshëm nën vrushkujt e bukur të flokëve të saj të verdhë – me rëndësi është se si do të reagojë ngjyra në kontakt me flokët tuaj.
Nëse doni rezultat të mirë, dhe jo flokë të gjelbër apo me ngjyrë të së verdhës së vezës – para ngjyrosjes në shtëpi konsultohuni me parukieren.
3. Ngjyrosja në shpejtësi
Mos thoni që vërtet nuk mund t’i ndani 50 minuta për t’i ngjyrosur flokët si duhet! Femrat shpesh e lënë ngjyrosjen në shtëpi për moment të fundit, gjë që, sigurisht, çon në rezultate të dobëta.
Nëse nuk keni kohë për t’i ngjyrosur flokët si duhet, atëherë atë ditë mos i ngjyrosni fare.
4. I harroni fytyrën dhe qafën
Të gjitha femrat që i ngjyrosin flokët e tyre me ngjyrë kafe dhe të zezë, me siguri të paktën disa herë janë ballafaquar me këtë problem. Ngjyra ka dalë mirë por njollat në veshë, qafë dhe ballë nuk hiqen me ditë të tëra!
Për ta shmangur këtë, kurrsesi mos harroni ta lyeni lëkurën përgjatë skajeve të flokëve me ndonjë krem më të yndyrshëm ose me vazelinë.
Vërejtje e rëndësishme – mos përdorni krem të parfumosur, sepse në kontakt me ngjyrën e flokëve mund të shkaktojë reagime negative në lëkurë! /Telegrafi/