Site icon Telegrafi

Gabimet e pafalshme të presidentit të shpallur inekzistent

Ajo që nuk ka guxuar ta bëjë z. Pacolli kurrsesi, menjëherë as pas zgjedhjes së tij president, ka qenë se nuk ka guxuar t’i lejojë vetes të besojë se vërtetë është njeriu i parë i Kosovës, e aq më tepër të sillet si i tillë. Por, si thuhet në popull i “hangër pykat” dhe fluturoi në një botë ireale protokollesh dhe aktivitetesh publike, e vetmja gjë mbase që i kishte munguar njeriut për të cilin mendohet se tashmë nuk i mungon asgjë. Shumë shpejt u relaksua dhe u ekspozua në shtëpinë e tij milionëshe, që ngjante me pallate princash, me aeroplan personal dhe me miqtë e tij të shumtë nëpër botë nga të cilët shpresonte të merr njohje për Kosovën. Ai filloi të tregoi ndjeshmëri edhe ndaj popullit të varfër me rrogat që ua lidhi duke ua shpërndarë rrogën e vet presidenciale. Thjesht filloi të rrezatoi sharmin e serialeve me të cilat tashmë jemi afruar aq shumë. Po e përcillte mesazhin dhe shpresën e njerëzve se “kur ka mund ky prej Mareci me i kapë majat e botës së biznesit e politikës …” dhe kështu filloi të rrokullisej ajo që kishte filluar të venitej te ky popull i nëpërkëmbur keq nga politikanët e vet dhe nga ata të huaj: po ringjallej shpresa për sukses individual.

Atë çka nuk mundi ta bënte Thaçi tash sa kohë, ai e bëri për 35 ditë. Shkoi në veri dhe e pritën mirë, shkoi në Shqipëri dhe e pritën mirë, shkoi në Maqedoni dhe e pritën mirë. Fitoi respektin edhe të minoriteteve edhe të shteteve fqinje. Kudo sillej si në shtëpi të vet. E pritën si kryetar të vërtetë të Kosovës, me respekt ashtu si nuk e kishin pritur asnjë president të saj deri tani, madje asnjë zyrtarë të saj deri tani. Çdo ditë, në media, lajmet fillonin me emrin e tij. Madje edhe rrjeti i tyre informues filloi të kruhej rreth presidentit të ri, të vihej në shërbim të tij. Ekipi i tij i relacioneve publike me gjasë i kishte lexuar të gjitha librat e shkruara për këtë temë, por kishte harruar se në Kosovë reklamat me të cilat qeshet më së shumti në Kosovë janë ato të KFOR-it dhe organizatave tjera ndërkombëtare. E kjo ndodhë edhe përkundër respektit të madh që gëzon, sidomos KFOR-i.

Nejse, zoti Pacolli përkundër qindra milionave të tij të deklaruar dhe përkundër profecisë së gjyshit të tij, harroi seriozisht se kush është njeriu i parë në këtë vend, dhe ky ishte gabimi i pafalshëm i tij, i cili pastaj tërhoqi këmbën zvarrë drejt gabimeve të tjera. Ai gjithashtu harroi se kryeministri është po ashtu më i rëndësishëm se ai, dhe se është njeriu Nr.2 i vendit. Jo për shkak të votave, sepse askush në këtë vend nuk mundet ta dijë se kush sa vota i mori në zgjedhjet e kaluara. Jo sepse partia është më e madhja në vend, sepse pas ngritjes së tij në qeverisje ajo mbeti veç një grumbull njerëzish ku strehohet struktura që e solli dhe e mban atë në pushtet dhe se si e tillë, partia është krejt e parëndësishme. Me një fjalë prej se ka hipë në pushtet kjo qeveri, PDK si parti as që ekziston realisht.

Zoti Pacolli nuk e kuptoi se ambicia e tij u përkrah prej njeriut numër një dhe dy të Kosovës, sepse ata llogaritën që ky si njeri racional do ta kuptojë vendin e vet në hierarki dhe do ta respektojë rolin që i është besuar për tu sorollatur e defiluar skenës derisa të kalohen krejt projektet e parapara. Ky në fakt duhej të tërhiqte vëmendjen e mediave me një melodramë për njeriun e suksesshëm që s’po e kuptojnë rrethi i vet primitive, dhe që ka shumë vese. Atë, qysh në start, përmes medias së kontrolluar e kishin bërë paçavure, duke e kontestua kombëtarisht përmes shoqatës së luftës e cila kontrollohet plotësisht nga njeriu i dytë i këtij vendi. Dhe duke e përfolur për nacionalitetin e bashkëshortes së tij, ai u bë objekt i kontestimeve mbi bazën patriotike dhe u vu medialisht në funksion të interesave ruse.

Por kur doli se z. Pacolli megjithatë nuk ishte krejtësisht i manipulueshëm dhe se po synonte një program të caktuar, qendra vendosi ta tronditë dhe ta këndellë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte në këtë kontekst, dhe derisa populli po merrej me fatin e Pacollit, para opozitës së shkapërderdhur dhe të hutuar pas vizioneve abstrakte, ua kaluan para hundëve atë që e kishin synimin kryesorë dhe të cilin e kishin premtuar si duket qysh më herët gjatë vizitave nëpër bukuritë e pafund imperiale të Turqisë. Edhe pse askund në vendet ish-socialiste nuk ka pasur ndonjë proces transparent dhe ligjorë të privatizimi të ndërmarrjeve publike apo shtetërore, por përgjithësisht prej këtij procesi ka dalë një numër i vogël oligarkësh që kanë ndërtuar bazën ekonomike dhe politike të antikomunizmit, çka për fazën e parë ishte krejtësisht e pranueshme edhe për perëndimin, megjithatë nuk pritej që interesi i njeriut numër një dhe dy të këtij vendi të dilte aq zhveshur dhe ata të komprometoheshin aq drejtpërdrejtë para medias vetëm për të kryer obligimet që si po duket i kishin marrë përsipër. Ata nuk hezituan që për këtë qëllim ta nënë në pikëpyetje edhe reputacionin ndërkombëtarë të një superfuqie dhe të një shteti ende të pakryer për të cilin mediat botërore po shkruajnë si për një çerdhe të krimit të organizuar.

Meritokratët antikomunist, sipas logjikës postkomuniste, pastaj hyjnë në ingranazhin global të korporatave dhe kështu ngadalë bëhen pjesë e proceseve, duke e ndërtuar edhe shtresën e mesme si bazë të stabilitetit politik dhe shoqëror. Ndërkohë që edhe strukturat e krimit internacionalizohen dhe kështu bashkëjetojnë për një kohë. Procesi i integrimeve evropiane për këto vende zakonisht nënkupton një shkëputje të krimit prej shtetit, duke mos e shkëputur përfundimisht këtë dashuri klandestine mes tyre, por gjithsesi duke e vënë në binarë të kontrollueshëm.

Ajo që ishte specifike te ne, si duket mori formën e këtij pështjellimi në të cilin dinë të gjinden vetëm ata që nuk kanë interesa të drejtpërdrejta ose vetë krijuesit e tij. Kështu oligarkia e re, për ta larguar vëmendjen nga pasuria e tyre e krijuar pas lufte sollën një personalitet, për publikun e këtushëm me një pasuri përrallore, e cila filloi të ngjallë magjinë e shpresës, lakmisë dhe gjelozisë, por edhe t’i tërheqë dritat e reflektorëve. Tronditja e pasuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte vetëm një veprim në dobi të skenarit qeveritar dhe këtë e dëshmon komentimi për obligimin e deputetëve që të marrin pjesë domosdo në seancën parlamentare kur zgjidhet presidenti. Kjo në fakt paraqet daljen nga kriza institucionale dhe këtë shpresojnë ta shfrytëzojnë krijuesit e krizës dhe tollovisë. Pavarësisht se ajo nuk ka kurrfarë baze ligjore as kushtetuese. Ata llogarisin të detyrojnë deputetët të qëndrojnë në sallë me çdo kusht ose të marrin dritën e gjelbër për të proceduar tutje me një shumicë të thjesht.

Pra, për tu kthyer te tema, z.Pacolli bëri disa gabime, për të cilat u dënua nga njeriu numër një, numër dy dhe pse jo edhe nga ai numër tre i këtij vendi. Pas kësaj situate dramatike nëpër të cilën edhe u kontrabandua edhe projekti kyç i tyre, do të shihet se a e ka mësuar mësimin dhe a e ka kuptuar vendin dhe rolin e vet në hierarki, z. Pracolli. Nëse jep shenja se e ka kuptuar dhe e ka pranuar, ai do të rikthehet sërish aty ku ishte për pak ditë dhe ku e preku me dorë ëndrrën e tij të fëmijërisë dhe të rinisë. Ajo ishte ëndrra e ish gardistit, i cili donte të bëhej si shefi i vet. Atëherë ai e dinte kush është shefi, ndërkohë që tash për pak ditë e harroi këtë dhe mori në thua..! Ditët në vijim do të tregojnë a ishte ky një gabim i papërmirësueshëm dhe a janë njeriu numër një dhe numër dy i këtij vendi, vërtetë të gjithëfuqishëm. Njëkohësisht do të tregojnë a ka shpresë evropiane për këtë vend, i cili ende nuk po e gjen vetveten në kaosin global që është mbledhur në një hapësirë prej vetëm dhjetë mijë kilometrash katrorë.

Exit mobile version