Sundimi i së drejtës është harmonizimi i të gjitha akteve në një shoqëri duke filluar nga Kushtetuta, ligjet dhe deri te aktet nënligjore.
Kështu ka deklaruar në intervistën për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha e Akademisë për gjykatës dhe prokuror publik, Natasha Gaber – Damjanovska.
Ajo vlerëson se për funksionim të sundimit të së drejtës, nevojitet që dispozitat ligjore të zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve dhe të mos ekzistojë zbatim selektiv apo kategori e privilegjuar e qytetarëve për të cilët dispozitat mund të vlejnë përkohësisht, pjesërisht apo të mos vlejnë aspak.
“Dimensioni i tretë i sundimit të së drejtës është mundësimi i kontrollit dhe respektimit të të gjitha principeve juridike edhe ndaj personave të cilët kanë një fuqi të caktuar në shoqëri. Zakonisht janë rrethet e larta ekonomike apo biznesmen të pasur, si dhe politikanët e rangut më të lartë, për të cilët gjithashtu praktikimi i fuqisë së tyre duhet çdoherë të reduktohet në korniza ligjore të caktuara dhe kështu të zbatohet. Të gjithë ata trupa në Maqedoni të cilët janë kompetent që të kryejnë atë, duhet ta kryejnë si duhet dhe të ngrihen sanksione dhe përgjegjësi për ata të cilët nuk i respektojnë këtë parime juridike”, deklaroi Damjanovska.
E pyetur se cila është arsyeja që Prokuroria Publike nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të luftuar krimin, Damjanovska tha se kjo është rezultat i mungesës së kuadrove profesionistë dhe resurseve.