Telegrafi

G4shi tregon prapaskenat e xhirimit të klipit me Ledrin

Reperi shqiptar që po ndërton karrierë ndërkombëtare, G4shi, në javën në kaluar ka qëndruar në Prishtinë për shkak të performancës në Festivalin Sunny Hill.

Ylli i muzikës hip-hop, i cili jeton në Brooklyn të SHBA-ve, interpretoi në natën e dytë të festivalit duke i bërë për vete fansat me performancën e tij mahnitëse.

Në ndërkohë, qëndrimin e tij në Kosovë e ka shfrytëzuar për të bërë edhe një videoklip me Ledri Vulën.

Ndërsa përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka treguar prapaskenat nga xhirimet e videos muzikore.

Lexo po ashtu Lajmet për G4SHI

“E kam bërë një këngë për Kosovën të titulluar ‘That’s Mine’”, ka shkruar G4shi në përshkrimin e një fotografie të publikuar në Instagram.

“Ledri dhe unë e xhiruam videon vetëm duke ecur rrugëve të Prishtinës dhe duke u dhënë të rinjve akullore dhe para, sepse kisha vetëm disa orë para se të nisesha për ta xhiruar videon ‘Creep On Me’”, ka vazhduar ai.

Labinot Gashi është me origjinë nga Kosova, ndërsa karrierën e tij është duke e ndërtuar në SHBA, ku ka migruar me prindërit e tij.

Që nga vera e vitit të kaluar, ai është pjesë e labelit të famshëm të Jay-Z, Roc Nation. Pa asnjë dyshim se e ardhmja do të sjellë gjëra të mëdha nga reperi shqiptar. /Telegrafi/