Site icon Telegrafi

G20 anashkalon Eurozonën

Pavarësisht rimëkëmbjes së brishtë të Eurozonës, krerët e financave të 20 vendeve më të zhvilluara të botës, janë fokusuar në çështje të tjera, më aktuale.

Gjatë takimit të grupit të G20, që zhvillohet në Ankara, ministrat e financave dhe bankierët qendrorë të ekonomive kryesore të botës, u fokusuan tek ekonomia në ngadalësim e Kinës dhe tek rritja e normave të interesit në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, trazirat e Greqisë nuk ishin në temën e diskutimeve.

“Rimëkëmbja në Europë po fuqizohet. Europa nuk po shihet në këtë takim si pjesë e problemit, po si pjesë e zgjidhjes”, shprehet Komisionieri i Çështjeve Ekonomike të Bashkimit Europian, Pierre Moscovici.

Politikëbërësit europianë, të cilët më parë kanë qënë në epiqendër të negociatave intensive, për të mbajtur Greqinë në eurozonë, tashmë ishin të përfshirë në bisedimet se, kur Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit dhe kur Kina do të stabilizojë tregjet e saj financiarë. “Europa po përmirësohet ngadalë. Banka Qendrore Europiane ka thënë se do të qëndrojë e gatshme në rast nevoje, gjë që është shumë e rëndësishme”, shprehet Catherine Mann, shefe e ekonomistëve pranë Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Me rajonin, që ndodhet ende në shërim nga kriza e borxhit sovran dhe me ekonominë në rritje modeste, politikëbërësit europianë kanë pak hapësira për vetëkënaqësi.

Pasi Banka Qendrore Evropiane uli parashikimet e rritjes gjatë javës së kaluar, Mario Draghi premtoi më shumë stimuj për shkak të trazirave të fundit në tregjet në zhvillim, që kërcënojnë dhe rimëkëmbjen e Eurozonës. /Telegrafi/

Exit mobile version