Site icon Telegrafi

Fytyra e re e Vinicius – shiriti i kapitenit e ndryshoi plotësisht brazilianin duke e kthyer në lider

Vinicius Junior, ylli i ri i Real Madridit, ka shfaqur një fytyrë të re në ndeshjen e fundit kundër Real Sociedad, shkruan AS.  

Për shkak të një sërë lëndimesh në skuadër, Vinicius mori shiritin e kapitenit dhe iu përgjigj sfidës me një paraqitje mbresëlënëse.  

Braziliani e mori me seriozitet rolin e tij të ri, duke demonstruar lidership dhe një etikë pune që kënaqi tifozët dhe trajnerin Carlo Ancelotti.  

Vinicius ishte i gjithëpranishëm në fushë, veçanërisht në mes, ku luajti një rol kyç në mesfushë.  

“Pas kaq shumë vitesh ishte e veçantë të mbaja shiritin e kapitenit. Krenaria për mua dhe familjen time. Ishte tashmë shumë për të ardhur në klubin e ëndrrave të mia, por të vazhdoja të realizoja ëndrrat… është e pabesueshme”, deklaroi Vinicius pas ndeshjes.  

Statistikat flasin vetë. Vinicius e përfundoi ndeshjen me më shumë pasime në të tretën e fundit të fushës (13) dhe tre topa të rikuperuar, që është performanca e tij më e mirë këtë sezon.  

Ai gjithashtu udhëhoqi ekipin me goditje në portë, duke ndarë vendin e parë me Jude Bellingham.  

 

Vinicius u tregua një lider i vërtetë, duke komunikuar me gjyqtarin, duke u përballur me kapitenin kundërshtar dhe duke drejtuar iniciativën për të ndërprerë ndeshjen kur nga tribuna u dëgjuan thirrje fyese.  

Ndeshja e radhës kundër Real Betis do të jetë e 300-ta e Vinicius me fanellën e Real Madridit.  

Lexo po ashtu I lidhur me një transferim rekord në Arabinë Saudite, Vinicius Junior zbulon planet për të ardhmen

“Do të arrij së shpejti 300, por dua më shumë. Dua 400 dhe 500. Shpresoj të bëj histori në këtë klub”, nënvizoi Vinicius, duke hedhur poshtë zërat për një lëvizje të mundshme në Arabinë Saudite.  

Shiriti i kapitenit duket se ka sjellë një dimension të ri në lojën e Vinicius, duke e shndërruar atë nga një yll kontrovers në një drejtues të vërtetë ekipi.  

 

Nëse ai vazhdon me paraqitje të tilla, Vinicius mund të bëhet një figurë kyçe për Real Madridin në vitet në vijim, përfundon AS.  

Sulmuesi 24-vjeçar ka bërë 34 paraqitje këtë sezon, duke shënuar 17 gola dhe duke dhënë dhjetë asistime për Realin. Sipas Transfermarkt, ai kap vlerën e 200 milionë eurove. /Telegrafi/  

Exit mobile version