Telegrafi

Fytyra e Mbretit Charles III nuk do të jetë në kartëmonedhat 5 dollarëshe në Australi

Australia po heq monarkinë britanike nga kartëmonedhat e saj dhe do të shfaqë një dizajn indigjen dhe jo një imazh të Mbretit Charles në kartëmonedhën e saj të re 5 dollarë.

Banka qendrore e vendit tha se kartëmonedha e re do të nderonte “kulturën dhe historinë e australianëve të parë” – duke zëvendësuar portretin aktual të Mbretëreshës, e cila vdiq vitin e kaluar, transmeton Telegrafi.

Kartëmonedha prej 5 dollarësh ishte e vetmja kartëmonedhë e mbetur e Australisë që ende shfaqte një imazh të monarkut.

Banka e Rezervave të Australisë tha se megjithatë figura e Mbretit Charles III ende pritet të shfaqet në monedha prej hekuri.

Monarku britanik mbetet kreu i shtetit të Australisë, megjithëse këto ditë ky rol është kryesisht simbolik.

Banka tha se vendimi pasoi konsultimin me qeverinë, e cila mbështeti ndryshimin.

Ministri i Thesarit, Jim Chalmers tha se ndryshimi ishte një mundësi për të arritur një ekuilibër të mirë. Ai shtoi: “Monarku do të jetë ende në monedha prej hekuri, por kartëmonedha prej 5 dollarësh do të thotë më shumë për historinë, trashëgiminë tonë dhe vendin tonë, dhe unë e shoh këtë si një gjë të mirë.”

Megjithatë, kundërshtarët thonë se masa është e motivuar politikisht. /Telegrafi/