Telegrafi

Fytyra e djalit që nuk i vjen asnjë shok në festën e ditëlindjes pushton internetin (Foto)

Ditëlindja do të duhej të ishte një datë speciale, e në veçanti për fëmijët të cilët kanë nevojë për vëmendje dhe shoqëri që të ndajë me ta këto momente të lumtura.

Por kështu nuk i ndodhi një 6-vjeçari nga Arizona, të cilit nuk i kishte shkuar në ahengun e organizuar asnjëri nga shokët e kopshtit, ndërsa fotografi e tij që fliste shumë për zhgënjimin e ka postuar e ëma e tij dhe është bërë virale në internet, transmeton Telegrafi.

Teddy Mazzini kishte ftuar 32 shokët e kopshtit për të festuar ditëlindjen me pica dhe ëmbëlsira në një restorant në Tucson, por çuditërisht asnjëri prej tyre nuk kishte shkuar.

Mediat lokale raportojnë se Nick VinZant, kishte postuar imazhin e vogëlushit Teddy duke qëndruar i vetmuar në tavolinën gjigante të mbushur me pjata të zbrazëta.

Por imazhi i tij shpejt fitoi vëmendjen e komunitetit e në veçanti nga klubi i basketbollit Phoenix Suns, të cilët e ftuan që ta festojnë ditëlindjen në ndeshjen e tyre të radhës.

Nëna e vogëlushit ka pranuar se 32 ftesat i kishte dërguar në kopsht si dhe prindërve të shokëve të djalit të saj. Ajo shtoi se disa prej tyre i janë përgjigjur me arsyetimet e ndryshme se nuk mund të shkojnë në aheng, ndërsa pjesa e dërmuese thjesht nuk kanë kthyer kurrfarë përgjigje. /Telegrafi/