Telegrafi

Fyle viziton të hënën Tiranën

Komisioneri Stefan Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të çuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat qershorin e ardhshëm.

Ai ka vendosur të vijë në Tiranë për t’u takuar me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin socialist Edi Rama, të hënën e ardhshme. Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërçin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.

Duke folur në një konferencë për Ballkanin të organizuar dje nga e djathta europiane, komisioneri Fyle u shpreh se do të ishte mëkat nëse kjo çështje nuk do të tejkalohej.

Sipas tij, Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reformat në mënyrë që komisioni t’i paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare. /Telegrafi/