Telegrafi

Fyet nipi i Erdoganit, AKP kërkon kontrolle të ashpra ndaj Twitterit e Facebookut

Partia qeverisëse turke ka propozuar një ligj që do të vendosë kontroll më të madh mbi rrjetet sociale, si Twitter dhe Facebook, pasi presidenti, Recep Tayip Erdogan u zemërua me një postim në Twitter rreth nipit të tij.

“Ne duam të merremi me fyerje, sharje dhe abuzime në mediat sociale”, tha Ozlem Zengin, nënkryetarja e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

Rrjetet, të cilat shfrytëzohen çdo ditë nga më shumë se një milion përdorues në Turqi, do të duhet të emërojnë një përfaqësues ligjor në vend, transmeton Telegrafi.

Nëse ata nuk e bëjnë këtë, ata do të paguajnë një gjobë, dhe xhiroja e rrjetit gradualisht do të zvogëlohet së pari me 50 për qind dhe më vonë me 90 për qind, raportoi agjensia e lajmeve Anatolia. Kjo do t’i bëjë ata plotësisht të papërdorshëm.

Deri tek ky vendim erdhi pas lindjes së nipit të presidentit turk, ku me rastin e publikimit të një fotografie të sapolindurit, vërshuan komentet e ndryshme.

“Çfarë njeriu me fat, ai kurrë nuk do të jetë i uritur. Kurrë nuk do të kërkojë në kontejnerë, ai do të shkojë në shkolla private…”, ishin disa prej komenteve.

Kujtojmë se dhjetëra mijëra faqe në internet janë bllokuar në Turqi gjersa ndalimi i Wikipedia u hoq në janar pas gati tre vjetësh.

Ndryshe, Ankaraja zyrtare rregullisht arreston dhe ndjek penalisht njerëz që kritikojnë qeverinë dhe politikat e saj në mediat sociale. /Telegrafi/