Janë publikuar pamjet e vrasjes makabër të avokatit turk Kudbettin Kaya. Sipas mediave në Turqi, vrasja tronditëse ka ndodhur ndërsa avokati drekonte në një restorant të populluar në Stamboll.
Siç shihet edhe në pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, Kaya ka qenë i shoqëruar nga të tjerë persona në tryezë, kur një person i veshur me rroba të zeza, ka hyrë qetësisht në restorant dhe ka zbrazur një breshëri plumbash ndaj avokatit.
Kudbettin Kaya është një nga të pandehurit në rastin e Ergenekon. Ky është emri që i është dhënë një organizate të supozuar ultranacionaliste në Turqi, që mendohet se ka lidhje me pjesëtarë të forcave ushtarake dhe të sigurisë në vend.
Grupi akuzohej për terrorizëm dhe për komplot kundër qeverisë në Turqi, ndërkohë që në kuadër të çështjes janë organizuar një sërë gjyqesh të profilit të lartë, duke filluar nga viti 2008, transmeton oranews.
Por, ekzistenca e grupit nuk është mundur të vërtetohet dhe kështu, të gjithë personat e akuzuar dhe burgosur në lidhje me këtë çështje, janë liruar nga dënimet.
https://www.youtube.com/watch?v=AR3TeUilxko