Site icon Telegrafi

Futen brenda për ta plaçkitur argjendarinë në Londër, punonjësja shtyp butonin për mbyllje automatike të derës – hajnat mezi arrijnë të ikin

Në internet është duke qarkulluar një video e pazakontë e tre plaçkitësve, të cilët në prill të vitit të kaluar plaçkitën një argjendari në pjesën veriore të Londrës.

Videoja është bërë sërish aktuale për faktin se njëri nga plaçkitësit, 32-vjeçari Andrew Eliot është dënuar me shtatë vite burgim, pasi kishte vjedhur stoli ari në vlerë prej 21 mijë funte, transmeton Telegrafi.

Në video shihet se si një plaçkitës tenton të arratiset nga lokali, por ishte punonjësja e argjendarisë që kishte shtypur butonin për mbyllje automatike të derës dhe kishte ikur menjëherë në tualet, ku ishte mbyllur dhe i kishte telefonuar policisë.

Në ato momente futen në lokal edhe dy plaçkitësit tjerë, por pasi u aktivizua sistemi për mbyllje automatike të derës nga brenda, hajnat nuk mund ta hapnin dhe të ikin.

Megjithatë pas shumë tentimeve, njëri prej tyre kujtohet se duhet ta shtyp butonin siç edhe e bëri, kurse tjetri menjëherë doli jashtë. Por kur ai doli nuk e mbajti të hapur derën, kështu dy kolegët vazhduan të qëndrojnë brenda.

Sikur kjo të mos mjaftonte, pasi personi i dytë veproi njëjtë – shtypi butonin dhe doli jashtë, harroi të mbajë të hapur derën dhe i treti mbeti i ngujuar.

Duke parë se nuk mund assesi të dilte filloi ta përplas derën, dhe aty një kalimtare e rastit e hapi nga jashtë duke i mundësuar edhe atij të ikë. Sidoqoftë, personi i tretë ka përfunduar në pranga të policisë dhe është dënuar me burgim për këtë vepër. /Telegrafi/

 

Exit mobile version