Site icon Telegrafi

Futboll,Trepça’89 deklasoi Besën

Në xhiron e 27-të të Raiffeisen Superligës fitoren më bindëse e ka shënuar Trepça’89, e cila deklasoi Besën (5-0). Me këtë fitore nikoqirët dëshmuan seriozitetin e garës, ndërsa mysafirët të kundërtën.

Fitore të lehtë dhe bindëse shënoi edhe Prishtina që mposhti KEK-un (5-2). Prishtinasit duket se dhanë sinjale shpresë të këndelljes, ndërsa KEK-u zbehu edhe ato pak shpresa për t’i shpëtuar me të keqes.

Drenica – Trepça dhe Liria – Lepenci luajtën pa gola. Barazimi u shkoi për shtati mysafirëve, për të cilët çdo pikë në udhëtim është shumë e vlershme në rrugëtimin e tyre për të mbijetuar në shoqërinë elite.

Fitore shënoi edhe Vëllaznimi në duel me Gjilanin (1-0). Gjakovarët me këto tri pikë të reja vazhdojnë ta mbajnë hapin për titull të kampionit.

Me fitoren prej 2-1, Drita ia zvogëloi gjasat Hysit për ta mbrojtur titullin, ndërsa pavarësisht këtij suksesi Drita ka filluar ta humbë forcën me skuadrat pretenduese.

Trepça’89 mbetet në krye të tabelës me 51 pikë, para Prishtinës dhe Vëllaznimit që kanë tubuar nga 50 pikë. /Telegrafi/

Exit mobile version